OpEd
Elitës ruse Putini ia mundëson stilin luksoz të jetesës
Demokracia
10:40 | 18 Mars 2023

Share:

Nga: Olga Chyzh, studiuese e dhunës politike dhe i regjimeve represive, profesoreshë në Departamentin e Shkencave politike në Universitetin e Torontos, The Guardian

Pas një viti në luftën ku e futi veten, Rusia nuk është askund afër arritjes së objektivave të veta në Ukrainë. E, megjithatë, për habinë e vëzhguesve perëndimorë, as humbjet në fushën e betejës dhe as fatkeqësitë ekonomike nuk i kanë zbutur kërkesat e saj fillestare për çmilitarizimin dhe ndryshimin e regjimit në Ukrainë. Nëse ka një gjë që është e qartë – qoftë edhe në mjegullnajën proverbiale të luftës – është se fundi nuk duket askund. Për negociata të sinqerta, Rusia nuk është më gatshme sot sesa që ishte në ditën e parë të pushtimit.

Çfarë e bën regjimin e Putinit kaq mospërfillës ndaj sanksioneve perëndimore? Pse Putini nuk shqetësohet për kostot njerëzore të luftës? Dhe, a ka ndonjë gjë që do ta sillte Rusinë në tryezën e negociatave?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve kanë të bëjnë me kontekstin e veçantë të brendshëm në të cilin vepron lideri rus. Ndryshe nga liderët demokratë të cilët qëndrojnë në pushtet duke ofruar mallra për publikun, strategjia e mbijetesës së Putinit konsiston në kujdesin ndaj një numri të vogël të elitave politike që përbëjnë rrethin e tij të ngushtë. Për sa kohë që rrethi i brendshëm mbetet i lumtur, qoftë si rezultat i fitimeve të drejtpërdrejta, të ardhurave nga pronat apo nga politika, nuk ka asnjë nxitje për ta zëvendësuar atë.

Kështu siç është, rrethi i brendshëm i Putinit përbëhet nga dy blloqe të mbetura të fuqisë: oficerët e inteligjencës së lartë të FSB-së dhe krerët e strukturave ushtarake dhe të mbrojtjes. Ndonëse të ngjashme në pozicionet e veta ideologjike – të dy ato janë izolacioniste dhe kundër demokracisë – aftësia e të dy blloqeve për ta parë të vërtetën pengohet nga konkurrenca e tyre për pushtet, nga burimet dhe nga besimi i liderit. Gjithçka që kanë arritur ia kanë borxh Putinit.

Në këmbim, ata paguajnë me besnikëri dhe mbështetje dhe, kur është e nevojshme, duke i zbatuar disa nga kërkesat e tij. Detyra kryesore e FSB-së është të identifikojë dhe parandalojë kërcënimet ndaj regjimit. Operativët e saj e bëjnë këtë përmes spiunimit, frikësimit, sabotazhit, operacioneve të fajësimeve të rrejshme dhe aktiviteteve të tjera të ngjashme. Është kryesisht merita e FSB-së, për shembull, që Putini ka parë kaq pak kundërshtime publike ndaj luftës.

Nëse FSB-ja janë sytë dhe veshët e Putinit në shtëpi, ushtria është grushti që ai tund kundër armiqve të jashtëm të Rusisë. Detyra e gjeneralëve të tij të lartë është që ta ruajnë epërsinë ushtarake të Rusisë – ose pamjen e saj – duke zhvilluar dhe testuar armë të reja edhe nëse ato zgjasin vetëm deri në fund të rrugës së paradës.

Lufta e ka vënë në provë secilin prej këtyre blloqeve, dhe të dy ato janë bërë rrëmujë – në mënyrë të dukshme dhe të përsëritur. Ofensiva më e fundit ushtarake, e udhëhequr nga një i besuar i ngushtë i Putinit, gjenerali Valery Gerasimov, në dukje është përmbytur edhe para fillimit të saj, me numrin e vdekjeve ruse në Bahmut – qytet me rëndësi të dyshimtë ushtarake – që thuhet se është në raportin e habitshëm pesë me një krahasuar me humbjet e Ukrainës. FSB-ja gjithashtu ka rënë me fytyrë për toke në më shumë se në një rast, së fundmi me një komplot të dështuar për të destabilizuar qeverinë e Moldavisë, me gjasë me qëllimin e përdorimit të territorit të vendit ose të burimeve ushtarake për të ndihmuar në luftën e Rusisë me Ukrainën.

Pavarësisht këtyre dështimeve, rrethi i brendshëm i Putinit e ruan ndikimin në procesin e tij të vendimmarrjes, dhe për këtë arsye është çelësi për çdo shpresë që Rusia më në fund të ulet në tryezën e bisedimeve. Megjithatë, anëtarët e inteligjencës dhe të elitës ushtarake të Rusisë janë gjithashtu të papërshkueshëm nga presioni perëndimor. Në përputhje me retorikën e tyre antiperëndimore, nuk kanë asete të mëdha të huaja, të paktën jo në emrin e tyre. Ata preferojnë të jetojnë në Moskë dhe jo jashtë vendit, me pushimet në Jaltë e jo në rivierën franceze dhe bëjnë tifo për klubet ruse të futbollit e jo për ato të Ligës Premier.

Kemi parë se vetëm humbjet në fushën e betejës nuk e detyrojnë Rusinë që të përfshihet në negociatat e sinqerta. Ta detyrosh Rusinë të pranojë zgjidhje – dhe që ta respektojë atë – kjo është e pamundur pa lëkundur anëtarët e rrethit të brendshëm të Putinit. Sipas studiuesve të konfliktit ndërkombëtar, luftërat përfundojnë kur kostot e tyre bëhen të padurueshme për të paktën një nga kundërshtarët. Putini dhe regjimi i tij janë indiferentë për kostot njerëzore të luftës. Fëmijët dhe nipërit e të besuarve të Putinit nuk janë ata që hidhen në plojën e Bahmutit – ata janë të strehuar në konvikte elitare, në vilat luksoze dhe klubet private vetëm me ftesa, të blera dhe të paguara me përfitimet e paligjshme të familjes. Ironikisht, shumë nga këto streha të sigurta ndodhen në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut, përcjell Telegrafi.

E, megjithatë, përveç një grushti konfiskimesh të profilit të lartë të superjahtave – në ditët e para të luftës – Perëndimi ka bërë shumë pak për t’i synuar anëtarët e rrethit të brendshëm të Putinit. Për të qenë të saktë, shumica e miqve të Putinit – dhe disa nga familjet e tyre – vitin e kaluar përfundimisht hynë në listat zyrtare të sanksioneve të shumicës së vendeve perëndimore. Por, asnjë rus i pasur i zgjuar nuk do t’i vendoste asetet e veta, të huaja apo vendase, nën emrin e vet. Evazioni fiskal dhe kontabiliteti i dyshimtë ka qenë gjaku i sistemit financiar rus – të paktën që nga vitet 1990. Vetë Putin dyshohet se është njeriu më i pasur në botë, por dihet se zyrtarisht deklaron vetëm një apartament modest në Shën Petersburg.

Destabilizimi i marrëdhënies simbiotike të Putinit me miqtë e vet është e vetmja mënyrë reale për t’i shkaktuar kosto liderit rus. Dhe, derisa gjeneralët e Putinit mund të mirëpresin izolimin e shtuar të Rusisë, ata gjithashtu prej kohësh kanë njohur vlerën e investimit dhe potencialin e spastrimit të parave të pasurive të paluajtshme në Londër dhe në Paris. Kështu, derisa ata lodhen në zyrat e tyre në Moskë, të dashurat, gratë dhe fëmijët e tyre e kalojnë kohën në rezidencat e tyre luksoze në të ashtuquajturin Perëndimi dekadent.

Perëndimi ka dështuar në marrjen e hapave më të thjeshtë në zbatimin e sanksioneve, të tilla si përqendrimi i gjurmimit dhe shkëmbimi i informacionit, duke i detyruar bankat të zbulojnë pronësinë e llogarisë në vend që t’ia vënë përgjegjësinë e raportimit të pronarin e llogarisë, duke anuluar kështu sanksionet ndaj anëtarëve të familjes. A presin ata që miqtë e sanksionuar vërtetë do t’i dorëzojnë me dëshirë pasuritë e veta?

Gjeneralët dhe të fortët mund të kenë pak lidhje të dukshme dhe të drejtpërdrejta me Perëndimin, por kjo thjesht do të thotë se Perëndimi duhet të bëjë punë më të mirë për t’i identifikuar dhe vënë në shënjestër fiksuesit, zonjat dhe fëmijët e tyre. Nëse një pjesë e vogël e individëve mund të gjurmojnë një apartament në Londër që është i ministrit rus të Mbrojtjes, atëherë hetuesit financiarë sigurisht se mund të bëjnë gjëra të ngjashme në atë shkallë.

Për të parë ndonjë rezultat real, Perëndimi duhet të fillojë të zbatojë ligjet e veta kundër korrupsionit dhe spastrimit të parave për t’i sekuestruar vilat e paligjshme, për t’i ngrirë llogaritë jashtë vendit dhe për t’i hequr pasaportat e arta. Humbjet në fushën e betejës do të marrin kuptim tjetër vetëm kur ato shoqërohen me kostot reale në pasuri dhe stil jetese. Në radhë të parë, kjo pasuri është ajo që ia bleu Putinit besnikërinë e rrethit të tij të ngushtë. Dhe, derisa disa do t’i qëndrojnë pranë, të tjerët mund ta ulin entuziazmin për ofensivat e ardhshme ose të bëhen më pak të dobishëm për komplotimin e grushteve të shtetit dhe të operacioneve të rrejshme. Në fakt, vargu i vazhdueshëm i dështimeve, ofensivave të rrëgjuara dhe sulmeve të dështuara të përjetuara nga “ushtria e dytë më e mirë në botë”, mund të sugjerojnë se disa nga këto mund të kenë ndodhur tashmë.

Suksesi ushtarak [i Ukrainës] duhet të çmohet, por nuk ka qenë sa duhet vendimtar për ta bindur elitën ruse që të heqë dorë nga dërgimi i fëmijëve të njerëzve të tjerë në thertore. Humbjet e turpshme ushtarake, të shoqëruara me humbje personale financiare, munden ta bëjnë këtë.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024