Lajme
“Elita” e Prishtinës vrapon pas nënshtetësisë së Shqipërisë, Krasta e merr pasaportën e Kosovës
Demokracia
13:10 | 29 Nëntor 2022

Share:

Shumica e figurave publike në Kosovë kanë pasaportë të Shqipërisë. Me të, përveç tjerash, ata shmangin pritjet për termin nëpër ambasadat e shteteve të huaja në vend, që të mund të udhëtojnë jashtë. Shumë të tjerë janë në kërkim për t’u bërë shtetas të Shqipërisë.

Pasaporta e Kosovës është ndër më të dobëtat në botë. Në të, duhet pajtjetër të kesh vizë para se të nisesh për të shkuar diku jashtë. Kosovarët janë të vetmit në Europë që s’mund të udhëtojnë pa viza.

Por Adi Krasta, drejtuesi i emisionit “A Show”, të hënën u bë shtetas i Kosovës. Në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, gazetari nga Tirana publikoi në Facebook pasaportën e shtetit të Kosovës, duke iu bashkuar qytetarëve të izoluar.

Mbi një mijë persona komentuan në postimin e Krastës, duke e uruar e duke e përgëzuar për këtë veprim.

Dëshirën për ta marrë pasaportën e Kosovës, Krasta e kishte shprehur në dhjetor të vitit të kaluar.

“Nuk di kujt t’ia kërkoj pasaportën e Kosovës, me shumë krenari do ta merrja bashkë me familjen”, ishte shprehur ai, pasi paraprakisht kishte thënë se Shqipërinë po e udhëheq “një grupim faqesinjsh”.

Pasaporta e Kosovës, në vlerësimin e fundit, u rendit krahas pasaportave të shteteve si Libia, Nepali, Somalia, Jemeni, Pakistani, Siria, Iraku e Afganistani.

Në përvjetorin e pavarësisë, këngëtarja nga Prishtina me famë botërore, Dua Lipa, vendosi gjithashtu ta merrte pasaportën e Shqipërisë.

Të ngjashme