Sport
Elita e futbollit kosovar nis pa teste e pa vaksinim!
Demokracia
16:15 | 04 Shkurt 2022

Share:

Këtë vikend hapet edicioni i ri në futbollin kosovar. Të shtunën zhvillohen ndeshjet e para që i takojnë Kupës së Kosovës ndërsa në fundjavën e ardhshme nis edhe stinori pranveror në Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadrat elite si kurrë më parë sivjet kanë shpenzuar bukur shumë në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për pranverën e nxehtë, shkruan Demokracia.com.

Prej 10 ekipeve, tetë ishin në Antalia, një në Shqipëri dhe vetëm një (Feronikeli) mbeti në Kosovë.

Mirëpo, ajo që bie në sy është fakti se futbollistët në gara do të hyjnë pa u testuar kundër COVID-19, derisa as vaksinimin nuk e kanë obligim.

“Deri sot sa i përket a jemi të obliguar të testohemi apo të vaksinohemi para ndeshjeve mua nuk më ka ardhur asgjë zyrtare. Pra nuk kemi asgjë zyrtare se duhet të merren këto masa”, ka thënë për Demokracia.com, trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, skuadra e së cilit të dielën do të ndeshet me Prishtinën në kuadër të Kupës.

“Ne jemi gati 100 përqind për atë ndeshje”, ka thënë Lushtaku.

Të kujtojmë se në vendin tonë vaksinimi nuk është obligativ, por në shumë institucione tashmë vaksina është bërë obligative. Megjithatë kjo praktik nuk po ndodh në asnjë federatë sportive në vendin tonë.

Të kujtojmë se para dy vite futbollistët ishin të obliguar të testohen ndërsa edicionin e fundit testimi nuk ishte obligativ, kjo për shkak edhe të kostos bukur të mëdha që ka testimi. /Demokracia.com

Të ngjashme