Arte
Ekspozita Dy Ditarë nga Vjosa Shala – takim i privates me publiken
Demokracia
22:08 | 09 Qershor 2021

Share:

Sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës u mbajt ekspozita e “Dy Ditarë”, të platformës “Twojournal.com”, projekt ky i cili i paraprin publikimit të planifikuar më vonë në formë librash, të ditarëve të viteve të 1980-1999, të shkruara nga Vjosa Shala.

Në këta ditarë tregohet historia e një vajze të rritur në Kosovë në fund të viteve 80-ta dhe 90-ta, e cila përjeton dhe dokumenton forma të shpresës, ambicies, frikës, humbjes, shtypjes sistematike, protestave, dhunës, festave, dhe punk-ut, si elemente që formojnë historinë e saj dhe vendit të saj.

Në ditën e ekspozitës janë publikuar vetëm disa pjesë ditarësh të cilat janë ndërlidhur me ngjarjet e komentuesve, ku bënin pjesë Rina Krasniqi, Sezgin Boynik, Elida Ramadani, Toton Pllana, Shkelzen Maliqi dhe Vjosa Musliu, të cilët treguan historitë e tyre të inspiruara e ndërlidhura nga historitë e Vjosës, shkruan Demokracia.com

Nita Deda koordinatore e projektit e hapi ekspozitën duke e falenderuar Vjosën që ka lejuar ‘që dicka kaq personale ka pranuar t’a bëj publike’ duke na mundësuar kështu të shohim jetën e një vajze që rritet në Kosovën e pak kohë para fillimit të luftës dhe gjatë luftës.

 

“Prindërit e mi janë munduar shumë të fshehin frikën e tyre lidhur me situatën e trazuar në Kosovë në atë kohë, ndoshta ditari, nevoja për të dokumentuar kohën ishin rrjedhojë e faktit se unë në mënyrë të pavetëdijshme e ndjeja atë frikë”, thotë Vjosa, e pyetur nga Blerta Zeqiri se çka e kishte shtyrë të niste ditarin.

Historia e ditarit kishte nisur kur ajo ishte rreth 11 vjeç dhe ishte pjesë e “Ambsadorëve të vegjël”, ku kishte filluar të mbledh copa gazetash me ilustrime informuese apo argëtuese, duke u zhvilluar në një histori me nuanca më të errëta të ‘një fëmije që ka tentuar të ketë jetë sa më normale, në rrethana jonormale”.

Shumë shkrimtarë e regjisorë kanë zgjedhur këndvështrimet e fëmijëve a adoleshentëve, si një mënyrë autentike për të përshkruar situata të rënda, mirëpo ditarët e Vjosa Shalës sado që ngjasojnë në një libër apo film fiktiv, janë një ngjarje e vërtetë që në mënyrë organike ka përfunduar të jetë një dokumentim artistik i rrethanave socio-historike të Kosovës së viteve 90-të.

Edhe karakteri i Vjosës i ngjan një heroine libri a filmi ‘coming of age’. Ajo është vajza rebele e një kohe të skajsshme, artistja, pjesëtarja e grupit të parë metal të përbërë vetëm nga vajza, ‘tech-girl’ e fotos së famshme nga protesta “Bukë për gratë dhe familjet e Drenicës’, e shumë prirje të saj që e theksojnë dashurinë e madhe për jetën në një kohë kur as ajo nuk ishte e sigurtë.

“Kurrë nuk e kam paramenduar që diçka kaq personale ka me përfundu duke u publikuar pas 30 vitesh. Mendoj që është e rëndësishme që gjenaratat e reja që nuk e kanë përjetuar luftën, të kenë mundësinë të shohin se si kemi jetuar në atë kohë”, tregon Vjosa Shala për Demokracia.com

“Dy ditarët” e Vjosa Shalës  janë kthim në një kohë përplotë me situata që i ngjajnë historive të teatrit të absurdit, e personazhet e historisë janë prej mishi e gjaku, përplot me dëshirë për të jetuar e krijuar./Demokracia.com/

 

Të ngjashme