Prokuroria e Tiranës referuar ekspertizës mjeko-ligjore ka njoftuar se 32-vjeçari Lear Kurti që ndërroi jetë në komisariatin numër 3, ka vdekur nga mbidoza. Sipas përgjigjes zyrtare laboratori ka përcaktuar se lloji i lëndës narkotike që gjendej në qesen brenda stomakut të të ndjerit është kokainë.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka administruar aktin e ekspertimit mjeko-ligjor nr 494/22 datë 14.11.2022, në lidhje me shkaqet e vdekjes së shtetasit Lear Kurti. Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike: Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent.
Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)“, njofton Prokuroria.
Nga ekspertiza mejko-ligjore, në trupin e viktimës u gjet një qese e çarë plastike që sipas autoriteteve kishte kokainë. Lear Kurti humbi jetën mbrëmjen e 20 tetorit, pak minuta pasi iu largua me vrap një patrulle policie pranë zonës së Don Boskos. Pas ngjarjes ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një video në faqen etij në Facebook ku shfaqeahin pamjet e një prej efektivëve të policisë, i cili mundohej të ngrinte në këmbë 32-vjecarin i cili dukej i pafuqishëm. Veprimet e tre policëve po verifikohen nga Prokuroria nga moment i ndalimit e deri te transportimi i tij me mjetet e policisë në spital. Ndërsa për këtë ngjarje qytetarët kanë dalë në protesta.