Kompania gjermane, “GE Power AG”, e cila ka bërë riparimin e turbinës në Termocentralin B2 në vitin e kaluar, është rikthyer përsëri në Korporatën Energjike të Kosovës, por tash do të këtë pak punë me turbinën e TC -B1 dhe në fakt po asiston në mirëmbajtjen e Termocentralit B.
Për shkak të një rrjedhjeje në turbinën e TC-B2, ishte ndalur vjet në mes të dimrit. Qeveria e Kosovës ishte detyruar që të ndajë disa miliona euro për importin e shtrenjtë të energjisë elektrike, ani pse edhe ashtu prodhimi nuk e mbulonte konsumin edhe me të gjitha kapacitet prodhuese. Për riparim ishte angazhuar kompania “GE Power AG”, saktësisht kishte angazhuar një inxhinier të sajë që më pas ishte apostrofuar si “eksperti gjerman i Kurtit”.
Këtij eksperti po i bije që të vije shpesh në Kosovë. Korporata Energjike e Kosovës ka angazhuar përsëri ekspertë të kësaj kompanie, tash për një ndërhyrje në rutor e turbinë.
“Angazhimi i ekspertëve për ndërrimin e bulonave, shqyrtim i pjesërisht me NDT dhe inspektim vizual në turbinën e shtypjes së ulët të njësisë B1 turbinën e shtypjes së ulët të njësisë B1”, kështu quhet kontrata që është në vlerë prej 109 740,00 euro.
Periskopi ka mësuar se Blloku B1 është jashtë funksionit që disa ditë. Kjo për arsyeje se ka shkuar në remont vjetorë të planifikuar. Gjatë revizionimit, aty janë vërejtur edhe disa defekte tek turbina.
“Gjatë demontimit janë vërejtur dëmtimet në lopatat në shkallët e rotorit L-0 dhe L-1 si dhe në diafragmat 28B dhe 29B ndërsa unaza e poshtme të shkallës 28B ishte e shkëputur komplet nga diafragma. Pas gjitha shqyrtimeve të bëra, është arritur në përfundim se shkaktari i dëmtimeve të lartë cekura janë si rrjedhojë e dëmtimeve të bulonave të unazës 28B ku si pasoj unaza është shkëputur nga diafragma i cili ka prekur pastaj pjesën lëvizëse të rotorit dhe e ka dëmtuar atë dhe copat e unazës si dhe të bulonave kanë depërtuar në rotor dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në turbinë. Prandaj nevojitet angazhimi i ekspertëve për ndërrimin e bulonave, shqyrtim i pjesërisht me NDT dhe inspektim vizual në turbinën e shtypjes së ulët të njësisë B1”, ka bërë të ditur KEK.
Në fakt, në shkurt të këtij viti, KEK-u ka nënshkruar një kontratë të re me, “GE Power AG” për “Mbështetje në mirëmbajte të DCS-it në TC B për vitin 2022”.
Vlera e përgjithshme e kontratës është 693 mijë e 560 euro, dhe inxhinieri i kompanisë gjermane do të jetë në Kosovë një vit për të mbështetur ekspertët e KEK-ut për riparimin e DCS-it në TC-B.
Divizioni i Termocentralit “Kosova B” përbëhet nga dy njësi gjeneruese të njohura si njësia B1 dhe B2. Projekti dhe dizajni i këtij termocentrali është bërë nga një kompani evropiane që në atë kohë quhej “STEIN INDUSTRIE”. Pajisjet kryesore të këtij termocentrali janë të prodhuara po ashtu nga kompani të njohura evropiane, psh: Turbogjeneratori (Turbina) nga kompania “MAN” që më pas është transferuar në ALSTOM GmBH.
– Gjeneratori elektrik nga kompania ALSTOM POWER SERVICE nga Franca.– Sistemi i kontrollit dhe komandës (DCS – P320) është nga kompania ALSTOM POwER SERVICE nga Franca.
Dy operatorëve ekonomik GE PoWer dhe Alstom PoWer Services edhe pse janë entitete të ndara, realisht janë kompani të lidhura pasi GE Power ka në pronësi kompaninë Alstom Power Services. Andaj, edhe zyrtarë të KEK-ut në deklaratat e tyre kanë thënë se kanë qenë të detyruar që vazhdimisht të lidhin kontratë të negociuar me “GE Power AG” meqë ata janë prodhuesit e turbinës.
“Alstom Power Service -Representative Office in Kosovo”, ka marrë shumë kontrata me negocim nga KEK. Pra, ‘ALSTOM’ është prezent në Kosovë në vazhdimësi që nga viti 1979 pasi që është kompani projektuese e Termocentralit Kosova B, ndërsa në varësi të marrëveshjeve kontraktuale në TC-B gjendet që nga viti 1983/4, nga kur ky termocentral është lëshuar në punë. Duke u lidhur emri i tij me krejt TC-B, vetëm në vitet 2016, 2017, 2018, bashkë me “GE Power AG” kanë realizuar kontrata në vlerë prej 22 milionë euro. /Periskopi/