Lajme
Eksperti: Kurti mund t’i manipulojë qytetarët kinse për rritje ekonomike, por jo profesionistët dhe FMN-në
Demokracia
15:05 | 21 Prill 2022

Share:

Kryeministrit Albin Kurtit assesi s’po ia ndryshojnë mendjen raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare për rritjen ekonomike të Kosovës dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Kurti edhe sot përsëriti në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri se Qeveria e tij ka krijuar 25 mijë vende të reja të punës dhe nënvizoi se rritja ekonomike kalon shifrën e 10 për qindëshit.

Por shifrat e Kurtit me ato të institucioneve të huaja nuk po përputhen.

Ndërsa, jo të gjitha deklaratat e Kurtit janë të qëndrueshme dhe bazohen në fakte, po vlerësojnë njohësit e ekonomisë.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, e artikulon arsyen se pse deklaratat e Kurtit janë të paqëndrueshme dhe nuk përkojnë me realitetin.

“Deklarata e kryeministrit Albin Kurti nuk qëndron për faktin që kjo mundet me qenë një rritje ekonomike e momentit, por assesi zhvillim ekonomik. E them këtë, sepse rritja ekonomike ka mundur me qenë si rezultat i importit i cili ka reflektuar në qarkullim ekonomik, por duke mbytur prodhimin vendor.  Ndërsa për rritjen e eksportit prej 104 për qind mundet me qenë si përqindje, por si vlerë është shumë e vogël për faktin që në eksport e kemi të papërfillshëm në krahasim me importin ku edhe në Qeverinë Kurti nuk ka të ndalur importi”, ka thënë Kadriaj për Demokracia.com.

Iluzioneve të Kutit mund t’i besojnë vetëm ata që kanë njohuri të pakta për ekonominë, thotë Kadriaj.

“Vlerësoj se deklarimi nga FMN-ja është përgjigjja më e mirë për Qeverinë Kurti, për faktin se kryeministri aktual mund të hipnotizon një pjesë të qytetarëve që nuk e njohin problematikën ekonomike, por profesionalistët dhe institucionet kredibile nuk i gëlltitin iluzionet e Kurtit”, shton ai.

Kadriaj shtron pyetje për ta nxjerr edhe një përfundim në lidhje me rritjen ekonomike.

“Pra si mund të ketë zhvillim ekonomik kur kemi rritje të çmimeve në të gjithë sektorët e jetës e cila ka ndikuar në rendin e jetës dhe mirëqenies ekonomike”.

Sipas Kadriajt, janë disa dëshmi që duhet të mbështetet Kurti për t’ia arsyetuar fjalët e tij mbi rritjen ekonomike.

“Pra, zhvillim ekonomik kur kemi mirëqenie të lart, ndërsa gjendja e tanishme është larg asaj çfarë deklaron kryeministri Kurti, pra zhvillim ekonomik kemi kur kemi punësim të lart, mirëqenie, shërbime nga ana e institucioneve, shërbime shëndetësore, ambient të pastër, ndërsa këto nuk përkojnë me deklaratën e kryeministrit Kurti”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Kadriaj ka përdorur edhe ironinë që ta shpjegojë deklaratën e Kurtit.

“Pra, kryeministri Kurti mund të shpreh fontanë dëshirash dhe t’i manipulojë një pjesë të votuesve të tij, por jo profesionistët dhe institucionet kompetente me kredibilitet të lartë siç është FMN-ja”.

Kadriaj nuk ka dhënë shpresa për rritje ekonomike në Kosovë, por ka kërkuar  ndërhyrjen e qeverisë në stabilizimin e çmimeve të konsumit.

“Vlerësoi që në një krizë që ka kapluar botën, dhe ne si rajon dhe si shtet ka pak gjasa për të pasur rritje dhe zhvillim ekonomik për faktin që faktorët ekonomik, kanë trend të rënies pra për këtë vit, është suksese nëse mund qeveria me ndal rënien ekonomike, njëherë për të stabilizuar çmimet dhe mirëqenien ekonomike në vend”, tha ai./Demokracia.com/

Të ngjashme