Lajme
“Eksperti” i energjisë asnjë fjalë për rritjen e çmimit të rrymës, s’bëhet i gjallë në Kuvend e as në Facebook
Demokracia
19:01 | 20 Janar 2022

Share:

Haki Abazi jo shumë kohë më parë, në vitin 2019, i kishte marrëdhëniet më të mira me Albin Kurtin. Atëherë kur Lëvizja Vetëvendosje e mori pushtetin, Kurti e kishte bërë zëvendëskryeministër Abazin. Por sot siç duket nuk i kanë lidhjet edhe aq të mira, derisa deputeti dëgjohet shumë rrallë duke folur edhe në Kuvendin e Kosovës. Ky i fundit nuk tha foli as për një çështje në të cilën e konsideron vetën ekspert, atë të energjisë.

Haki Abazi shpesh është parë të reagojë për çështje e zhvillime të ndryshme, madje edhe për ato tepër të thjeshta, raporton Demokracia.com.

Megjithatë, Abazi nuk reagoi për rritjen e çmimit të energjisë, një sektor ku ai e konsideron vetën ekspert dhe jo rrallë ka qenë i zëshëm për temat që kanë të bëjnë me sektorin energjetik.

Abazi s’u pa as të enjten në Kuvendin e Kosovës, ku u diskutua pikërisht për këtë çështje, ndërkaq, as në rrjetet sociale nuk është deklaruar për rritjen e çmimit.

Postimi i tij i fundit është para tre ditësh në Facebook, ku ka shpërndarë një thënie inspiruese nga Martin Luther King.

“Koha është gjithnjë e duhura për ta bërë gjënë e drejtë”, ka shkruar Abazi.

Nuk dihet se për çfarë arsye e ka publikuar Abazi një postim të tillë. Por, kur jemi të postimet, deputeti i LVV-së jo rrallë ka publikuar reagime e “analiza” të ndryshme për energjinë.

Haki Abazi ka qenë një prej personave më të zëshëm kundër projektit amerikan të “Contour Global” për energjinë elektrike.

Në llogarinë e tij në Facebook ekzistojnë ende shumë statuse ku ai kritikonte qeveritë e mëparshme për mënyrën se si i kanë menaxhuar situatat elektrike.

Sidoqoftë, vlen të përmendet se Abazi këto kohë ka qenë shumë pasiv, derisa është raportuar se ka përçarje të marrëdhënieve të tij me Kurtin dhe LVV-së.

Përpos Abazit, as presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk është deklaruar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke mos u marrë kështu aspak me shqetësimet e qytetarëve.

Ndërkohë, çmimet e energjisë elektrike nuk do të jenë aspak të ulëta, derisa Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D dhe E.

Nëse jeni në kategorinë A dhe shpenzoni deri në 300 kWh, fatura aktuale e juaja është 19.97 euro, por me rritjen e çmimit të energjisë elektrike ajo do të bëhet 20.40 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, ju shpenzoni 450 kWh dhe fatura e juaj aktuale është 27.37 euro, tani do të bëhet 29.66 euro.

Nëse shpenzoni deri në 600 kWh, jeni në kategorinë C dhe fatura e juaj aktuale është 35.86 euro, me çmimet e reja, ajo bëhet 38.92 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, ju shpenzoni deri në 800 kWh, fatura aktuale është 47.19 euro, por me rritjen e çmimit fatura bëhet 74.17 euro.

Nëse jeni në kategorinë E ju shpenzoni deri në 1000kWh dhe fatura aktuale është 58.52 euro, ndërsa me rritjen e çmimit, fatura bëhet 109.42 euro./Demokracia.com/

Të ngjashme