Lajme
Eksperti amerikan: Serbia mund ta provojë në veri atë që Rusia po e bën në Donbas, Kosova duhet të armatoset
Demokracia
12:41 | 23 Prill 2022

Share:

Eksperti amerikan dhe profesori Universitetit “John Hopkins” në Uashington, Daniel Serwer, ka thënë se Ballkani Perëndimor mund të jetë arenë e konflikteve të armatosura, derisa i ka kërkuar Kosovës që të kërkojë më shumë armë.

Serwer ka thënë se Serbia është aleate e Rusisë dhe se nëse Moska arrin sukses në Donbas, mund të pritet që ta provojë të njëjtën në veri të Kosovës, përcjell Demokracia.com.

Kështu, ai i ka bërë thirrje shtetit kosovar që të kërkojë më shumë ndihmë dhe që amerikanët t’i dërgojnë armë FSK-së.

“Po, unë besoj. Serbia de fakto është aleate e Rusisë me të cilën ajo ndan aspirata autokratike dhe ambicie pushtuese. Nëse Moska arrin sukses në Donbas, ju mund të prisni që Serbia të provojë forcën e saj ushtarake në veri të Kosovës. Kosova duhet të kërkojë dhe amerikanët duhet të dërgojnë Javenilë dhe armë të tjera mbrojtëse në drejtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kështu që deri në vitin 2027 Kosova të jetë në gjendje ta mbrojë veten pa prezencën e KFOR-it”, ka thënë ai për Periskopin.

Ndryshe, që prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë, janë shtuar zërat për rrezik të destabilizimit në Ballkan, duke marrë parasysh afërsinë e Serbisë me Rusinë, përcjell Demokracia.com.

Liderët rusë gjatë këtyre javëve, shumë shpesh e kanë përmendur Kosovën në paraqitje të ndryshme.

Lidhur me këtë çështje, Kosova ka kërkuar nga NATO që të bëhet pjesë e kësaj aleance me procedurë të përshpejtuar, sidoqoftë, zyrtarë të saj kanë deklaruar se një gjë e tillë nuk është e mundur./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 29 Qershor 2024