Lajme
Eksperti amerikan: Njohja e Kosovës nga Izraeli, sinjal pozitiv për shtetet mosnjohëse
Demokracia
22:03 | 03 Shkurt 2021

Share:

Eksperti amerikan për politikat e Ballkanit, David Phillips po e cilëson si historike marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Izraelit.

Sipas tij, kjo lëvizje nga Izraeli është mesazh për shtetet mos njohëse që ta ndërmarrin një veprim të tillë.

Phillips për RTV Dukagjinin thotë se padyshim se ky akt është një hap historik.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është një hap historik. Edhe nëse dikush nuk është i kënaqur me Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila është e njëanshme ndaj Serbisë, zhvillimi i marrëdhënieve Kosovë-Izrael është një zhvillim pozitiv i cili sinjalizon mosnjohësit se është koha për të thelluar bashkëpunimin e tyre me Kosovës”, tha ai.

Phillips thotë se Izraeli mund të jetë një partner i mirë ekonomik i Kosovës.

“Më shumë sesa simbolike, normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin ka përfitime praktike. Izraeli mund të jetë një partner ekonomik, duke siguruar investime të huaja direkte në Kosovë. Ndërsa Kosova zhvillon aftësitë e saj në fushën e sigurisë dhe zhvillon forcat e saj të armatosura, Izraeli mund të luaj një rol përmes ndërmarrjeve të përbashkëta ose transferit të pajisjeve”, i shpreh Phillips.

Marrë parasysh se liderët tjerë politikë në Kosovë e kishin mirëpritur vendosjen e raporteve me Izraelin, Phillips thotë se është shumë pozitive që edhe Albin Kurti ka përshëndetur këtë marrëveshje.

“Unë isha i lumtur kur pashë figurat kryesore politike të Kosovës që mbështesin marrëdhëniet Kosovë-Izrael. Cicërima e Albin Kurtit që miraton normalizimin e marrëdhënieve ishte veçanërisht e mirëpritur”, theksoi ai.

Eksperti Amerikan për politikat e Ballkanit e kupton edhe zemërimin që vjen nga Ankaraja sa i përket vendosjes së ambasadës nga Kosova në Jerusalem.

“Bashkëpunimi i Kosovës me Izraelin gjithashtu ndryshon dinamikën rajonale. Turqit janë të zemëruar me marrëveshjen sepse Ankaraja dëshiron ta transformojë Kosovën në një shtet vesal islamik. Kjo nuk do të ndodhë me SHBA-në dhe Izraelin që ushtrojnë ndikim pozitiv në Kosovë”, theksoi Phillips.

Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.

Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Të ngjashme