Lajme
Ekspertët e sigurisë: Pranimi i targave RKS nga Serbia mund t’i kthehet Kosovës si bumerang
Demokracia
19:47 | 03 Janar 2024

Share:

Hezitimi i Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e targave po shihet si rrezik për ndonjë masë tjetër sanksionuese nga Bashkimi Evropian.

Nga 1 janari, veturat me targa RKS po lejohen të qarkullojnë në territorin e Serbisë.

Kështu njoftoi më 25 dhjetor, Petar Petkoviq, drejtor i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Marrëveshja për njohjen e targave ishte arritur në Bruksel para disa vitesh, por që deri tani nuk ishte zbatuar.

Mirëpo, ekspertët e sigurisë po vlerësojnë se hezitimi i institucioneve të Kosovës për ta zbatuar këtë marrëveshje mund t’i bëjë favor të madh Vuqiçit, i cili, sipas tyre, me mjaft dredhi i shfrytëzon këto situata.

Ish-zëvendësministri i Brendshëm, Valdet Hoxha, thotë se Serbia ka filluar të zbatojë marrëveshjen e  targave, por jo edhe Kosova e që kjo mund të na kushtojë.

“Kam frikën se Vuçiqi si mjeshtër i këtyre marifeteve mund ta shfrytëzojë këtë vonesë të Qeverisë së Kosovës për të filluar reciprocitetin për targat e që më pas mund të në kthehet si bumerang me ndonjë masë, si ato që na u vendosën nga BE-ja në vitin 2023 e që po na përcjellin edhe këtë vit”, deklaroi Hoxha në RTV Dukagjini.

Hoxha thotë se kjo e targave është marrëveshje ndërkombëtare dhe duhet të zbatohet.

“Narrativa e Qeverisë se do të presim verifikimin nëse Serbia po e implementon vërtetë këtë marrëveshje nuk qëndron. BE-ja nuk e pranon këtë narrativë. Policia Kufitare e verifikon brenda minutash. Kam frikë se përgjegjësi mund të na bie te na. Vuçiqi me mjeshtri po e përdorë çështjen e targave me Asociacionin”, ka deklaruar Hoxha.

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se liderët e Kosovës kishin premtuar se nëse kalon vetura e parë me RKS do të zbatohej vendimi edhe nga Kosova.

“Kjo ngecje nga ana e Kosovës mund të ketë pasoja. Ky hezitim i Kosovës për të filluar verifikimet mund të na hakmerret. Ne kemi Policinë kufitare që kanë dosjet dhe nuk është ndonjë problem verifikimi. Mosveprimi me kohe mund të sjellë tërheqjen e Vuçiqit. Çdo ngecje do të jetë e rrezikshme për ne dhe tërheqja e mundshme e Serbisë mund të sillte pasojat te ne karshi Bashkimit Evropian, si palë që nuk zbatojmë marrëveshjen”, ka deklaruar Ibishi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte deklaruar se me vendimin e Qeverisë së Serbisë për njohjen e targave RKS, ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë.

Të ngjashme