OpEd
Eksperimenti i kushtueshëm!
Demokracia
09:40 | 12 Shkurt 2024

Share:

Kur në vitin 2019 filloi të ndihej, për herë të parë, mungesa e fuqisë punëtore, për shkak të valës së re të emigracionit, bizneset nuk e morën shumë seriozisht.

Përveçse pandemia e ndali përkohësisht vrullin e ikjeve (në vitin 2020 dhe në pjesën e parë të 2021), ato kishin në sirtar planin rezervë: Të merrnin punonjës të huaj, nga vendet më pak të zhvilluara.

Heqja e kufizimeve pas pandemisë hapi rrugët për mijëra shqiptarë, kryesisht të rinj, drejt Europës. Të dhënat e Eurostat dhe zyrës së statistikave të emigracionit të Mbretërisë së Bashkuar treguan se vetëm kërkesat për azil të shtetasve shqiptarë ishin 32 mijë në vitin 2022, niveli më i lartë që nga 2016-a. Mijëra të tjerë u larguan me kontrata pune, kryesisht në Gjermani.

Efekti ishte pothuajse i menjëhershëm në tregun e punës. Kompanitë nuk po arrinin të gjenin punonjës të kualifikuar e të pakualifikuar, duke u detyruar të rishikonin planet e zgjerimit, përveç vështirësive të momentit në mbajtjen e prodhimit e shërbimeve në nivelet e planifikuara.

Plani rezervë nisi të zbatohej gjerësisht në 2022-2023. Pas presionit mbi qeverinë, kjo e fundit lehtësoi procedurat për pajisjet me leje pune për të huajt. Fillimisht u morën punonjësit nga Bangladeshi, që ishin më të disponueshëm dhe të gatshëm të punonin me pagesa më të ulëta.

Shpejt u kuptua që qëllimi i tyre ishte ta përdornin vendin si një trampolinë për të ikur drejt Europës. Rrethi u zgjerua me shtete të tjera, si Vietnami, Filipinet, India, Nepali etj.

Dy vite më pas, eksperimenti për të punësuar të huajt duket se po rezulton i kushtueshëm dhe nuk po funksionon në pjesën më të madhe, sipas një vëzhgimi që bëri “Monitor”, me sipërmarrjet që e tentuan dhe agjencitë e punësimit. Arsyet janë disa:

-Së pari, plotësimi i mungesave në tregun e punës me punonjës të huaj po rezulton një proces me kosto të lartë dhe produktivitet të ulët. Sjellja e punonjësve të huaj ka kosto shtesë administrative dhe monetare.

Pagat e tyre po rezultojnë 20-30% më të larta sesa u jepeshin vendasve. Dhe në një vend që avantazh kryesor ka krahun e lirë të fuqisë punëtore, çdo shtesë është pothuajse e papërballueshme. Këtyre u shtohen dhe vështirësitë në dokumentacione, me të cilat po përballen subjektet që duan të punësojnë të huaj.

-Së dyti, ekonomia shqiptare dominohet nga biznese të vogla. Sipas INSTAT, nga 104 mijë ndërmarrje që ka në vend, vetëm 1400, ose 1.4% e tyre, kanë më shumë se 50 punonjës.

Ndryshe nga të mëdhatë që mund të shfrytëzojnë avantazhin e ekonomisë së shkallës, sipërmarrjet e vogla nuk kanë aftësi në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe me produktivitet të ulët nuk mund të përballojnë paga minimale për të huajt, 550 euro për punonjës në muaj, plus kostot 1200 euro për sjelljen e tyre.

-Së treti, edhe për vetë të huajt, tregu nuk është shumë joshës, me përjashtim ndoshta të pozicionit të favorshëm gjeografik, afër shteteve të tjera të Europës, që shpesh është qëllimi final i emigrantëve, duke nxitur edhe biznese të tjera, jo dhe aq ligjore!

Të dhënat për vitin 2023 nuk janë ende të disponueshme, por numri i të huajve me leje pune në vend nuk i kalon 8-10 mijë (rreth 18 mijë janë gjithsej të huaj me leje qëndrimi), një shifër që nuk arrin të mbulojë as ikjet e deklaruara nga kërkesat për azil.

Mungesa e punonjësve po e përkeqëson më tej rrethin vicioz ku ka hyrë ekonomia. Sipërmarrjet po detyrohen të rrisin pagat, pa shtuar produktivitetin, që nga ana tjetër po ul konkurrueshmërinë. Industria që punon me material porositësi ishte e para që e pësoi dhe tani jo vetëm nuk po kërkon punonjës, por po shkurton dhe ata që ka.

Turizmi, që ka ecurinë më të mirë për momentin, rrezikon parametrat e shërbimit. Ndërtimi, që sërish është në lulëzim, mund të mbetet në karabina. Lista është e gjatë dhe përfshin pothuajse çdo sektor.

Ekonomia, si gjithnjë, do t’i gjejë vetë ekuilibrat e rinj, por të paktën gabimet e së shkuarës, që prodhuan modelin e sotëm joproduktiv e jokonkurrues, që nxiti emigracionin masiv, duhet të shmangen. /Monitor.al

Të ngjashme