Fundi i epokës Abramoviç te Chelsea do të përkojë edhe me fundin e epokës së Marina Granovskaia në klubin londinez.
Drejtuesja e londinezëve e cila ka udhëhequr në mënyrë të suksesshme klubin në dekadën e fundit, ka vendosur të largohet në muajin gusht, pasi të finalizohet plotësisht transferimin i londinezëve në pronësi të Tod Bohli.
Granovskaia u bë përfaqësuesja direkte e Abramoviç në klub vitin 2010, ndërsa në vitin 2014 u bë shefe ekzekutive, duke drejtuar sidomos çështjet e merkatos.
Ajo pritej që të qëndronte në klub edhe nën drejtimin e Bohli, pasi ky i fundit i besonte aftësive të saj drejtuese.
Por ajo ka vendosur që të largohet dhe sipas “Bild”, pas mbylljes së merkatos në gusht nuk do të jetë më pjesë e Chelseat.
Megjithatë, para largimit, Granovskaia do të përfitojë një çek prej 20 milionë paundë si pjesëtare e grupit negociator të shitjes së klubit në muajt e fundit.
Vendin e saj në klub pritet ta marrë italiani Andre Berta, i cili që nga viti 2017 ka qenë drejtori sportiv i Atletiko Madrid dhe ka kontribuar në transferime mjaft të rëndësishme të madrilenëve.