Në fund të vitit 2019 u krijua projekti i Mini-Schengenit ballkanik midis tri vendve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por ky emër, sipas burimeve të Demokracia.com, do të ndryshojë në ‘’Iniciativa për katër liritë e lëvizjes’’.
Ky projekt parasheh katër liritë e Bashkimit Europian, atë të lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve që edhe përfaqëson emrin e ri.
Jashtë këtij projekti mbetet akoma Mali i Zi, Bosnja Hercegovina dhe Kosova, gjë që ka nxitë edhe shumë polemika dhe acarim marrëdhëniesh mes vendeve fqinje.
Ndryshe Mini-Schengen përbëhet nga 10 pika të marrëveshjes së Ohrit për të cilat u pajtuan tre nismëtarët e idesë së “mini-Schengenit”:
-Udhëtimi i shtetasve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë brenda territorit të tre vendeve vetëm me letërnjoftim.
-Të huajt në shtetet anëtare të nismës mund të udhëtojnë pa viza shtesë.
-Lejet e përbashkëta të punës dhe njohja e kualifikimeve dhe diplomave, pa procedura shtesë.
-Shkëmbimi i studentëve.
-Projekte të përbashkëta R&D (hulumtime e zhvillim).
-Prezantimi i një kohe pune 24-orëshe për të gjitha shërbimet e inspektimit kufitar, me fokus në inspektimin fitosanitar dhe veterinar.
-Paketë unike e dokumentacionit që kërkohet për transitin e mallrave, me theks në prezantimin e sa më pak dokumenteve që të jetë e mundur, në përputhje me strategjinë e zhvillimit digjital;
-Ndryshime në ligjet e tregut të kapitalit, taksave dhe sistemit financiar në të tre vendet, me qëllim krijimin e kushteve për një rrjedhë të qetë të kapitalit.
-Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e luftimit të krimit transnacional dhe terrorizmit.
-Përcaktimi i rregullave të veta në shumë fusha për të përmirësuar atraktivitetin e të tre vendeve dhe bashkëpunimin.
Kujtojmë se mediat serbe kanë raportuar se takimi i radhës mes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit serb, Aleksander Vuçiq, dhe kreut të qeverisë maqedonase, Zoran Zaev do të zhvillohet më 28 dhe 29 korrik në Shkup. /Demokracia.com/