Lajme
EKSKLUZIVE| Qeveria Kurti ftohet t’i lexojë këto dokumente zyrtare, Kosova që nga viti 2015 anëtare e Konventës së Parisit
Demokracia
15:04 | 01 Maj 2022

Share:

Qeveria Kurti, me propozim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, po tenton të anëtarësohet në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave apo Konventës së Parisit, ku vendi ynë është anëtar që nga viti 2015.

Ka kaluar një ditë dhe përkundër kërkesave të vazhdueshme për sqarimin e situatës rreth iniciativës për t’u anëtarësuar në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, Qeveria Kurti që shpesh quhet edhe si “Qeveri e praktikantëve”, ka zgjedhur të mos flasë më rreth kësaj çështje.

Demokracia.com dje ka raportuar për këtë huqje të Qeverisë Kurti II, e cila rezulton të ketë mungesë informacionesh për proceset që ka kaluar vendi para ardhjes së tyre në pushtet.

Me gjithë kundërshtimet që kishte marrë nga Serbia, Rusia, Spanja e Qipro, Kosova ia kishte dalë që të anëtarësohej në këtë organizatë.

Demokracia.com ka arritur të sigurojë disa prej dokumenteve më të rëndësishme rreth këtij anëtarësimi, përfshirë edhe Notën Verbale ku konfirmohet se Kosova është anëtare e saj.

Më 10 dhjetor të vitit 2015, Kosova kishte dorëzuar kërkesën e anëtarësimit në Qeverinë e Francës. Kjo ishte bërë në përputhje me Nenin 35 të Konventës së Parisit 1928 për Ekspozita Ndërkombëtare.

Si rezultat, Kosova ishte pranuar dhe ishte bërë anëtare e Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave, derisa anëtarësimin e kishte nënshkruar Hashim Thaçi.

Demokracia.com ka siguruar dokumentin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, e cila më 23 shkurt 2016 e kishte konfirmuar këtë anëtarësim, ndonëse ai zyrtarisht kishte hyrë në fuqi më 10 dhjetor 2015.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zhvillimit Ndërkombëtar i shpreh komplimentet e saj Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe ka nderin të njoh pranimin e instrumentit që njofton aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Ekspozitat Ndërkombëtare të nënshkruar në Paris më 22 nëntor 1928, i modifikuar nga protokollet e 10 majit 1948, 16 nëntorit 1966 dhe 30 nëntorit 1972 dhe i ndryshuar me ndryshimet e 24 qershorit 1982 dhe 31 majit 1988. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zhvillimit Ndërkombëtar ka nderin të informojë Republikën e Kosovës se në pajtim me nenin 35 të Konventës në fjalë, aderimi ka hyrë në fuqi në ditën e depozitimit të instrumentit të aderimit, 10 dhjetor. Ministria e Punëve të Jashtme Ndërkombëtare shfrytëzon rastin për t’i ripërtërirë Ambasadës së Republikës së Kosovës garancitë e konsideratës më të lartë”, thuhej në letrën e MPJ-së franceze të siguruar nga Demokracia.com.

Por, asokohe disa nga shtetet anëtare që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, si Serbia, Rusia, Spanja e Qipro, përmes notave verbale kishin kërkuar sqarime nga ana e Qeverisë së Francës, pasi këtë anëtarësim e konsideronin si joligjor.

Demokracia.com ka arritur ta sigurojë edhe letrën e Serbisë dërguar autoriteteve franceze, ku ajo pretendonte se Kosova nuk ishte shtet dhe për këtë arsye nuk duhej të pranohej në këtë organizatë.

“Në emër të Republikës së Serbisë dëshiroj të shpreh kundërshtimin e fortë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Byronë e Ekspozitave Ndërkombëtare. Konventa e Ekspozitave Ndërkombëtare (1928), në nenin 35, thotë se VETËM SHTETET mund të bëhen anëtare të Byrosë. Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova nuk është shtet, por pjesë e territorit të Republikës së Serbisë nën administrimin e llN, që do të thotë se kapaciteti i saj si shtet është në rastin më të mirë kontestues. Atributet e një shteti: territori, populli dhe pushteti sovran nuk ekzistojnë këtu (përveç të dytit) siç konfirmon kjo rezolutë. Prandaj, ne kontestojmë procedurën e anëtarësimit të “Kosovës” në BIE dhe këtë e konsiderojmë të pavlefshme”, thuhet ndër të tjera në notën verbale të Serbisë, të siguruar nga Demokracia.com.

Më 26 qershor 2016, protokolli i Qeverisë së Francës ishte përgjigjur lidhur me këto pretendime, duke e sqaruar sipas ligjeve anëtarësimin e Kosovës në Konventën e Parisit të 1928.

Në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com, shihet se përgjigja e Francës ishte për katër shtetet që e kundërshtuan anëtarësimin e Kosovës, konkretisht për Serbinë, Rusinë, Spanjën dhe Qipron.

“Neni 35 i Konventës së ndryshuar në lidhje me ekspozitat ndërkombëtare parashikon se “Konventa është e hapur për aderim nga çdo shtet, qoftë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ose jo anëtar i Kombeve të Bashkuara, i cili është palë në statutin e Organizatës Ndërkombëtare. Gjykata e Drejtësisë, ose një anëtar i një agjencie të specializuar të Kombeve të Bashkuara, ose një anëtar i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe, nga ana tjetër, i çdo shteti tjetër, kërkesa për anëtarësim e të cilit miratohet nga dy të tretat e shumicës së Palëve Kontraktuese që kanë të drejtë vote në Asamblenë e Përgjithshme të Byrosë. Instrumentet e aderimit depozitohen pranë Qeverisë së Republikës Franceze dhe hyjnë në fuqi në datën e depozitimit të tyre. Kosova është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që nga 29 qershori 2009, agjenci të specializuara të Kombeve të Bashkuara. Prandaj, në përputhje me nenin 35 të përmendur më lart, kushtet e nevojshme për aderimin e Kosovës në Konventën për Ekspozitat Ndërkombëtare janë përmbushur”, thuhet në përgjigjen e Francës ndaj këtyre shteteve, raporton Demokracia.com.

Përgjigjen e plotë të Francës ndaj këtyre shteteve mund ta lexoni në këtë DOKUMENT: Përgjigjja e Francës ndaj shteteve që kundërshtuan anëtarësimin e Kosovës në BIE

Pse Kosova nuk figuronte në listën e shteteve anëtare në faqen zyrtare të BIE?

Gjatë asaj kohe, sekretari i Qeverisë Spanjolle, Viscente G. Loscertales, e kishte përdorur ndikimin e tij duke mos lejuar që të vendosej emri i Kosovës si anëtare. Por, me një kërkim të thjeshtë në këtë faqe, të cilin mund ta bënte edhe Qeveria e Albin Kurtit, shihet qartë se Kosova është anëtare dhe figuron data e anëtarësimit, pra 10 dhjetor 2015.

Siç raportoi Demokracia.com edhe të shtunën, Kosova pas anëtarësimit në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, për herë të parë mori pjesë ne Ekspozitën Ndërkombëtare të Hortikulturës gjatë vitit 2016, “Expo 2016 Antalia”.

Kosova ishte ftuar të marrë pjesë edhe në “Expo Dubai 2020”, por edhe kjo ngjarje ishte shtyrë për më vonë për shkak të Covid-19.

Sa i përket Qeverisë së Kosovës lidhur me “iniciativën” për këtë anëtarësim, duke nisur nga kryeministri Kurti, pa i pasur as informacionet bazike që lehtësisht kanë mundur t’i sigurojnë në MPJD, nuk hezituan fare që të tentojnë t’i marrin edhe meritat.

Zëvendësministri i MINT-it, Getoar Mjeku, dje ka bërë një postim në rrjetin social Facebook, ku tha se suksesi në Dubai e bëri këtë institucion që të kërkoi anëtarësimin në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, duke mos e ditur që Kosova ishte anëtare që nga viti 2015 dhe që pjesëmarrja në Dubai ishte pikërisht si pasojë e këtij anëtarësimi të mëhershëm.

“Me angazhimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Republika e Kosovës sivjet ka marrë pjesë për herë të parë në një ekspozitë botërore, që u mbajt në Dubai të Emirateve të Bashkuara. Kjo përvojë e suksesshme na thelloi bindjen për rëndësinë që kanë promovimi i kulturës e potencialeve të vendit dhe bashkëpunimi me shtetet e tjera rreth ngjarjeve të këtilla. Andaj kemi kërku anëtarësimin në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave”, shkroi ai.

Ndërkaq, edhe Kurti tentoi ta paraqesë këtë si arritje të madhe të Qeverisë së tij, ku në mbledhjen e sotme e konsideroi si një hap të madh përpara.

Ky propozim është miratuar sot në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash dhe siç duket asnjëri prej ministrave të Kurtit nuk ia ka pasur idenë për organizatat ku vendi është anëtarësuar para ardhjes së tyre në pushtet./Demokracia.com/

Lexo edhe:

DOKUMENT| Kurti ia huq me të madhe, kërkon që Kosova të bëhet pjesë e organizatës ku anëtare është nga viti 2015

Të ngjashme