Lajme
EKSKLUZIVE | Presidentja Osmani refuzon të përfshihet në shpalljen e datës së votimit për shkarkimin e kryetarëve të veriut
Demokracia
09:02 | 31 Janar 2024

Share:

Në katër komunat e veriut të Kosovës mund të mos ketë proces të votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë nga funksioni i tyre, që e fituan në zgjedhjet e 23 prillit 2023.

Demokracia.com ka mësuar nga pjesëtarë të ekipit të presidentes Vjosa Osmani se ajo nuk dëshiron të përfshihet në procesin që do të pasojë, pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të bëjë verifikimin e nënshkrimeve të qytetarëve që nënshkruan peticionet për kryetarët shqiptarë në komunat veriore.

Arsyeja kryesore për këtë refuzim të Osmanit është mungesa e bazës ligjore, e cila atë mund ta çojë në shkelje kushtetuese.

Presidentja Osmani mësohet se e ka njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti se ajo nuk do të nxjerrë asnjë vendim me anë të të cilit caktohet data e votimit për shkarkimin e kryetarëve të veriut.

Sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), procesi i radhës që pason pas verifikimit të nënshkrimve është organizimi i procesit të votimit për largimin e kryetarëve nga funksioni.

Sipas UA-së, procesi i votimit për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni zhvillohet sipas procedurave dhe rregullave për zgjedhjet e përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale.

Por, për t’u aktizuar KQZ-ja, Presidenti i Republikës duhet të nxjerrë vendimin me anë të të cilit caktohet data e votimit për largimin e kryetarëve.

Një vendim të tillë, siç ka mësuar Demokracia.com, nuk do ta nxjerrë presidentja Vjosa Osmani.

Se si duket një vendim që nxjerrë presidentja Osmani mund të merret si shembull vendimi i fundit i saj kur ka shpallur zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 14.02.2021.

Në krye të vendimit është referenca kushtetuese dhe ligjore që i jep të drejtën Presidentit të Republikës së Kosovës për caktimin dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve.

Para disa ditësh, KQZ-ja ka pranuar peticionet nga katër komunat e veriut të Kosovës dhe ka filluar procesin e verifikimit të tyre, por nuk kanë treguar se kur do të përfundojë ky proces.

Demokracia.com ka mësuar se tashmë ambasadorët e huaj, pas rrethanave të reja që janë krijuar me hezitimin e presidentes Vjosa Osmani, kanë filluar përpjekjet e tyre që t’i bindin kryetarët e komunave që të japin dorëheqje vetë, meqë i gjithë organizimi i peticioneve po konsiderohet i pamjaftueshëm ligjërisht për t’i çuar ato komuna në zgjedhje të reja. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 04 Maj 2024