Lajme
Partitë ia marrin shtetit rreth 3.4 milionë euro, Vetëvendosje gjysmën e tyre (Dokument)
Demokracia
09:07 | 21 Mars 2021

Share:

Pas certifikimit të zgjedhjeve, proporcionalisht me ulëset që kanë fituar në Kuvendin e Kosovës, subjektet politike parlamentare përfitojnë edhe nga buxheti i shtetit për financimin e aktiviteteve të tyre politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka zyrtarizuar tashmë edhe vendimin për ndarjen e mjeteve për financimin e aktiviteteve politike dhe mbështetjen e punës së secilit deputet, nga 13 marsi kur u bë  certifikimi i zgjedhjeve, deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Fondi i aprovuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për t’iu ndarë partive politike parlamentare është gjithsej 3,364,517.73 euro, raporton Demokracia.com.

Si fituese e zgjedhjeve me gjithsej 58 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje për këta 10 muaj merr gjithsej 1,626,183.57 euro, ku prej tyre 1,463,565.21 euro shkojnë direkt për Lëvizjen Vetëvendosje dhe 162,618.36 euro për deputetët e saj.

Pas Lëvizjes Vetëvendosje, me 19 ulëse të fituara vjen Partia Demokratike e Kosovës.

Partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit i takojnë gjithsej 532,715.31 euro, ku 479,443.78 euro shkojnë për partinë dhe 53,271.53 euro për aktivitetet e deputetëve të saj.

E treta me radhë është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka fituar 15 ulëse dhe i takojnë 420,564.71 euro. Prej kësaj shume, 378,508.24 euro shkojnë për subjektin politik, kurse 42,056.47 euro për aktivitetet e deputetëve të LDK-së.

 

Listës Serbe, me 10 deputetë të fituar, bazuar në dokumentin zyrtar të siguruar nga Demokracia.com, i ndahen 280,376.48 euro. Për këtë subjekt politik shkojnë 252,338.83 euro dhe 28,037.65 për deputetët e komunitetit serb.

Subjekti i pestë me radhë është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në këto zgjedhje ka fituar gjithsej 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

AAK-së i janë ndarë 224,301.18 euro dhe prej kësaj shume, 201,871.06 euro shkojnë për partinë dhe 22,430.12 euro për aktivitetet e deputetëve të saj.

Me 2 ulëse të fituara në Kuvendin e Kosovës është edhe Kosova Demokratik Türk Partisi, të cilës i janë ndarë 56,075.30 euro. Prej tyre, 50,467.77 euro për partinë dhe 5,607.53 euro për aktivitetet e dy deputetëve të saj.

Koalicija Vakat, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Romani Iniciyativa, Nova Demoktraska Stanka, Socialdemokratska Unija, Jedinstvena Goranska Partija, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës kanë fituar vetëm nga një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Secilës prej këtyre tetë subjekteve politike minoritare u takojnë nga 28,037.64 euro, ku prej tyre 25,233.88 euro shkojnë për subjektin politik dhe 2,803.76 euro për financimin e aktivitetit të deputetit të tyre.

Për 14 subjektet politike parlamentare, në tërësi janë ndarë mbi 3 milionë euro. Ndërsa, për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës afër 337 mijë euro.

Secili subjekti politik ndanë mjete nga ky fond, sipas pikës II dhe në pajtim me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, për mbështetjen e punës dhe aktiviteteve të deputetëve të tyre.

Bazuar në Nenin 4 të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, në rast të bashkimit të dy apo më shumë subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës në një subjekt të ri, subjekti suksesor merr mjetet e ndara nga fondi, konform përfaqësimit të tij. Por, duke u bazuar po në këtë ligj, specifikisht 10% e shumës së ndarë nga Fondi i Kuvendit shkojnë për mbështetjen e punës së secilit deputet.

Ndërsa, për financimin e fushatave zgjedhore qendrore dhe lokale, për zgjedhje të rregullta dhe të jashtëzakonshme, me propozimin e Qeverisë, Kuvendi mund të ndajë mjete shtesë nga Buxheti i Kosovës për Fondin, por jo më shumë se 0.05% e buxhetit të shtetit.

Në rastet kur një subjekt politik nuk i paguan detyrimet, si gjobat e shqiptuara nga KQZ-ja, detyrimet tatimore apo detyrimet që burojnë nga përmbarimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, atëherë shuma përkatëse i zbritet nga buxheti që i ndahet nga fondi. Ndërsa, në rast se shuma e detyrimeve të subjektit politik është më e madhe sesa buxheti që e realizon nga fondi, subjekti politik nuk mund të merr pjesë në zgjedhje pa e paguar borxhin e tij.

Ky buxhet i nënshtrohet kontrollit financiar dhe secili subjekt politik është i obliguar t’i dorëzojë Raportet Vjetore Financiare dhe Raportin e Deklarimit Financiar të Fushatës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat më pas auditohen në përputhje me standardet e kontabilitetit të zbatueshme në Kosovë, nga auditorët që i përzgjedhë Kuvendi i Kosovës. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024