Lajme
EKSKLUZIVE| “Lulëzon” krimi në ministrinë e Gërvallës, MPJD ia përshtati kompanisë kroate specifikat për blerjen e veturave
Demokracia
16:14 | 12 Qershor 2022

Share:

Mijëra euro i ka shpenzuar ministria e Donika Gërvallës për blerjen e disa veturave jashtë vendit, duke bërë shkelje e dallavere të shumta. Në tenderin e veturave ka dyshime se është përfshirë edhe vetë kryediplomatja Gërvalla dhe kabineti saj. Është shkelur edhe vendimi i Qeverisë që ndalon blerjen e veturave. S’ka munguar as ndërhyrja dhe përshtatja e datave nëpër dokumente. Demokracia.com sjell detaje ekskluzive rreth tenderit për blerjen e veturave me 335 mijë euro të zotuara nga MPJD.

“Pritet miratimi i ministres”, kjo ishte një nga porositë e këshilltarit të Gërvallës, Luan Jusufit, i përfshirë në procesin e blerjes, si pjesë e komunikimit brenda kabinetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kur ishte diskutuar për blerjen e veturave zyrtare.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kishte shumë urgjente blerjen e disa veturave zyrtare për disa ambasada të Kosovës nëpër botë.

“… gjithashtu jemi duke pritur ofertë edhe për vetura nga Kroacia, koha është e kufizuar dhe duhet të veprojmë shpejtë”, thuhet në shkresat zyrtare të personelit të MPJD-së, të cilat i ka siguruar Demokracia.com.

Kjo është vetëm një pjesë e vogël që jep sinjale për dallaveret e mëdha që dyshohet se janë bërë në MPJD për tenderin e veturave, ku fillimisht ishin zotuar 335 mijë euro.

Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së nuk i kishte bërë përshtypje as vendimi i Qeverisë Kurti, pasi që më 8 dhjetor të vitit 2021 kishte urdhëruar hapjen e procedurave për tenderin e veturave, derisa në prapaskenë negociatat veçse ishin gati të finalizuara për blerjen e tyre.

“Të bashkëngjitur gjeni autorizimin për fillimin e aktivitetit të prokurimit më titull ‘Furnizim me vetura dhe kombi për MDK”, thuhet në shkresën e parë.

Por, kjo nuk është e tëra, shkruan Demokracia.com.

Shkeljet dhe ndërhyrjet flagrante nëpër dokumente kanë vazhduar vetëm që të arrihet deri të qëllimi i blerjes së veturave me çdo kusht, madje duke ia përshtatur specifikacionet edhe kompanisë “Porsche Inter Auto” në Zagreb, aty ku Kosova e ka ambasador të shumëpërfolurin Martin Berishaj.

MPJD kishte autorizuar fillimisht zyrtarin Xhelal Gega që të përgatiste deklaratën për sigurimin e fondeve për prokurimin dhe blerjen e veturave. Mirëpo, dokumenti i datës 08.12.2021 nuk është fare i nënshkruar prej tij, pasi që Gega mësohet se nuk kishte pranuar që të përfshihej në këtë proces të dyshimtë.

Megjithatë, as mungesa e nënshkrimit të tij nuk e ndali euforinë e blerjes së veturave.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kishte përgatitur edhe një kërkesë tjetër për zotimin e mjeteve, mirëpo duke e kthyer “kohën” prapa. Dokumenti i ri mban datë të mëhershme, më 30.11.2021, që bie në kundërshtim me vendimin e datës 08.12.2021, kur ishin kërkuar fonde për këtë tender, e cili dokument nuk ishte nënshkruar.

Ky dokument dyshohet se i ishte përshtatur rrjedhshmërisë së negociatave, pasi që ato pretendohet se kishin filluar para se të niste zyrtarisht procedura e tenderimit.

Në dokumentin e datës 30.11.2021 të siguruar Demokracia.com, që ishte dërguar nga Ragip Zejnullahu, të cilit nuk i figuron as pozita që mban në Departamentin e Administratës së Përgjithshme, në drejtim të prokurimit dhe ministres Gërvalla ishte bërë kërkesë me ndryshime në datë, para kërkesës së mësipërme për zotim dhe inicim për përdorimin e procedurës për blerjen e veturave.

“E nderuara zonja Vllasaliu, ju lutem ti zotoni mjetet dhe inicimin e procesit të prokurimit për blerjen e veturave. Të bashkëngjitur e gjeni listën e veturave ku duhet të dërgohen veturat”, thuhet në këtë kërkesë, raporton Demokracia.com.

Pazari për blerjen e këtyre veturave nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ishte bërë në Ambasadën e Kosovës në Kroaci. Këtë fakt e tregon edhe procesverbali i zyrtarëve të komisionit, të cilët ishin caktuar nga ministria për blerjen e veturave.

Komisioni ka treguar si e ka bërë hapjen e ofertave të pranuara prej kompanisë “Porsche Inter Auto” në Zagreb dhe për realizimin e takimit dhe negocimit.

Siç tregohet në procesverbalin që e ka siguruar Demokracia.com, komisioni ishte i përbërë nga Shefkinaze Vllasaliu, Dardan Krasniqi dhe Florijan Jusufi.

“… në takim është diskutuar rreth mundësisë së blerjes së veturave të cilat gjenden në depo për shitje, dhe pas kërkesave të parashtruara nga Komisioni i negocimit, veturat të cilat i plotësojnë kushtet dhe specifikat e kërkuara, përfaqësuesit i është kërkuar që të na japë ofertën reale dhe më të favorshme, në mënyrë që në rast pranimi apo pëlqimi të bëhet liferimi i automjeteve brenda pesë ditësh. Pas marrjes së pranimit të ofertave dhe negocimit fillestar, në të cilin takim zgjati tri orë, Komisioni është kthyer në Ambasadë për të diskutuar dhe shqyrtuar në detaje rreth vazhdimit të negocimit në ditën e dytë. Të nesërmen Komisioni kërkoi një prezantim më në detaje të automjeteve dhe ‘lirime të mundshme dhe sa më të dobishme”, thuhet aty.

Mbështetur në procesverbalin e hapjes së kuotimit, ofertuesi i përzgjedhur kishte ofruar tri vetura të tipit Audi A4 dhe dy të tjera të tipit Passat.

Takimi i këtij komisioni ishte mbajtur më 11 dhjetor të vitit 2021 në Zagreb të Kroacisë, ku tregohet se pavarësisht insistimit të zyrtarëve të ministrisë, kompania nuk kishte ofruar zbritje.

“Përfaqësuesi i kompanisë së shitjes së veturave në fjalë, z. Luka edhe pas disa insistimeve nga Komisioni, nuk ndryshoi qëndrim lidhur me çmimin e shitjes së veturave”, shkruan në dokument, raporton Demokracia.com.

Marrëveshja ishte bërë më 15 dhjetor 2021, por vetëm një ditë më herët, më 14 dhjetor ishte kërkuar zyrtarisht që MPJD t’i ndryshonte specifikacionet për blerjen e veturave, duke iu përshtatur kështu ofertës së “Porsche Inter Auto” në Zagreb, përkundër që edhe pas ndryshimit të specifikacionit ka mospërputhje mes asaj që kanë kërkuar dhe blerë.

Pas marrëveshjes me operatorin kroat, më 21 dhjetor 2021 ekzekutohet urdhri i blerjes nga menaxherja e prokurimit, Shefkinaze Vllasaliu.

Sipas dokumenteve, kabineti kishte vlerësuar se veturat duhet që të dërgohen në Bruksel, Budapest, Berlin, Lubjanë, Zagreb, Dusseldorf, Shtutgart, Frankfurt, Vjenë dhe Strasburg.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte kontraktuar në fundvitin e kaluar vetura në vlerë prej 157 mijë e 279 eurosh, nga mbi 300 mijë euro sa ishin zotuar, por nuk dihet ende më saktësi sa para janë shpenzuar nga ky tender dhe sa vetura janë blerë.

Megjithatë, sipas procesverbalit të hapjes së kuotimit, ofertuesi i përzgjedhur kishte ofruar tri vetura të tipit Audi A4 – me vlerë prej 35 mijë, 33 mijë dhe 31 mijë euro, si dhe dy të tjera të tipit Passat, të cilat kanë kushtuar nga 28 mijë e 840 euro.

Kjo blerje e veturave ishte bërë në kundërshtim edhe me vendimet në fuqi të Qeverisë së Kosovës.

Një vendim i marrë më datën 19.10.2020 nga Avdullah Hoti, që atë kohë ishte Kryeministër i Kosovës, ndalonte çdo institucion të vendit të blinte vetura.

“Ndalohen procedurat e blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre”, thuhet në pikën e parë të këtij vendimi, duke vazhduar tutje se “obligohen të gjitha ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre për zbatimin e këtij vendimi”.

Ky vendim ka mbetur në fuqi edhe tash kur Qeverinë e Kosovës po e drejton Albin Kurti, që në këtë rast është shef i ministres Donika Gërvalla.

Në vendimin që ka siguruar Demokracia.com, dt. 14.07.2021 tregohet se Qeveria Kurti nuk e ka anuluar këtë vendim, por e ka shtuar edhe një pikë.

“Pas pikës 1 të vendimit nr.05/36 të Qeverisë së Kosovës të datës 19/10/2020, shtohet një pikë e re me numër 2, me tekstin si në vijim: 1.1 Dogana e Kosovës nuk i nënshtrohet kufizimit të përcaktuar me piken 1 të këtij vendimi. 2. Pikat e tjera të vendimit nr.05/36 të Qeverisë së Kosovës të datës 19/10/2020 mbesin të pandryshuara”, thuhet në vendimin e Qeverisë Kurti.

Demokracia.com prej ditës së enjte ka dërguar pyetje lidhur me këtë rast në MPJD, por ky institucion e ka zgjedhur heshtjen si përgjigje.

Tenderi për blerjen e veturave i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës tani është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme