Lajme
EKSKLUZIVE| Ky është e-maili kërcënues që mori UP-ja
Demokracia
19:09 | 17 Maj 2022

Share:

Një kërcënim për bombë përmes postës elektronike në adresë të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”  ka alarmuar drejtuesit e këtij institucioni dhe Policinë e Kosovës.

Pas alarmit për një mjet shpërthyes në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, njësiti anti-bombë i Policisë së Kosovës, ka mbërritur në vendin e ngjarjes.

Demokracia.com ka siguruar e-mailin kërcënues.

Ky e-mail ishte dërguar nga adresa [email protected].

Në subjekt ishte shkruar “Bomb Hasan Prishtina”, shkruan Demokracia.com.

Në e-emailin e shkruar në gjuhën angleze thuhet: “Bomba në Hasan Prishtina do të shpërthejë tani”.

E-maili kërcënues kishte arritur në adresën [email protected] kishte shkuar në ora 13:45, shkruan Demokracia.com.

Lajmi se Rektorati i UP-së është kërcënuar me bombë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës për Demokracia.com.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se Policia është në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për ta menaxhuar situatën.

“Rreth orës 16:00, është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, tha Borovci për Demokracia.com.

Për kërcënimin për Demokracia.com ka folur edhe  rektori i UP-së, Naser Sahiti.
“Administrata (e Universitetit) e ka pranuar një e-mail anonim për një bombë, prandaj policia e kanë rrethuar objektin”, ka thënë Sahiti për Demokracia.com.

Ai ka shtuar se nuk e dinë se prej kujt ka ardhur ky kërcënim./Demokracia.com/

Të ngjashme