Sport
Ekskluzive: FFK po mendon rikthimin e tifozëve në stadiume
Demokracia
14:32 | 18 Janar 2021

Share:

Stinori pranveror në elitën e futbollit kosovar po pritet me kureshtje jashtëzakonisht të madh, shkruan Demokracia.com

Klubet si kurrë më parë kanë investuar në ekip duke sjellë emra të njohur të futbollit dhe kjo e ka rritur interesimin për ta ndjekur kampionatin.

Megjithatë, dilema mbetet nëse edhe në pranverë dyert e stadiumeve do të jenë të mbyllura për tifozë ashtu siç ishin në vjeshtë.

Gjithsesi, shpresat për një rikthim të mundshëm të tyre janë vendimet e fundit të ministrisë së shëndetësisë ku u vendos për lirim të masave, ndërsa nga muaji shkurt është paralajmëruar edhe nisja e vaksinimit anti-COVID-19.

FFK është duke e shqyrtuar mundësinë që stinori pranveror të nisë me tifozë, fillimisht me një numër të limituar.

“Ne jemi në koordinim të plot me institucionet tona. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me ministrin e mëparshëm por edhe tash me ministren Dumoshi dhe bashkërisht do ta vlerësojmë situatën para se të marrim ndonjë vendim”, ka thënë sekretari i FFK-së Eroll Salihu, për Demokracia.com, duke mos e mohuar mundësin që tifozët të rikthehen.

“Sigurisht do të shikohet edhe procesi i vaksinimit dhe nëse gjërat ndryshojnë pozitivisht mund të ketë tifozë. Pra në këto momente nuk mund të them zyrtare asgjë pasi varet nga situata, por ka gjasa të rikthehen një numër i limituar i tifozëve”, ka thënë Eroll Salihu.

Të kujtojmë se edicioni pranveror në futbollin e Kosovës nis me 10 shkurt me ndeshjet e Kupës ndërsa një javë më vonë ato kampionale.

Salihu ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës e cila në mars nis kampanjën për kualifikim në kampionatin Botëror “Katar 2022”, ndërsa ndeshjen e parë si vendas në këtë aventurë Kosova do ta ketë kundër gjigantit evropian Suedisë, me të cilin luan në stadiumin “Fadil Vokrri” me 28 mars dhe interesimi për atë ndeshje është shumë i madh.

“E njëjta situatë është edhe me Kosovën, pra gjithçka do të varet nga situata. Ne i raportojmë rregullisht UEFA-s për gjendjen me COVID-19 dhe sigurisht që në konsultim me UEFA-n dhe situatën në vend do të vendosim”, ka përfunduar Eroll Salihu. /Demokracia.com

Të ngjashme