Lajme
EKSKLUZIVE| Dorëheqjet i dorëzuan vetëm komandantët e stacioneve dhe shefat e operativës në veri, Sveçla me plan operativ
Demokracia
21:20 | 05 Nëntor 2022

Share:

Në mënyrë demonstrative, para kamerave, serbët e veriut të punësuar në Policinë e Kosovës, i zhveshën uniformat, i palosën ato dhe u raportua se dhanë dorëheqje.

Megjithatë, jo të gjithë pjesëtarët serbë të policisë së Kosovës në katër komunat veriore kanë dhënë dorëheqje.

Demokracia.com ka mësuar se deri më tani, dorëheqje kanë dhënë vetëm eprorët serbë të policisë në katër komunat veriore.

Konkretisht, dorëheqje kanë dhënë katër komandantët e stacioneve të policisë në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.

Po ashtu, dorëheqje kanë dhënë edhe komandanti i trafikut dhe ai i pikës kufitare në Bërnjak së bashku shefat e operativës.

Ndërsa, nga institucionet e drejtësisë, dorëheqje kanë dhënë edhe prokurorët dhe gjyqtarët serbë në këto katër komuna, derisa rreziku është rritur që të zhduken edhe lëndët që janë nëpër gjykata, prokurori dhe dhoma të dëshmive atje, si dhe ato që i kanë policia nëpër stacione.

Në shenjë pakënaqësie kinse ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosovës, serbët e veriut nesër në mesditë kanë planifikuar ta mbajnë edhe një protestë në veri.

Por, siç mësohet nga burime brenda ministrisë së Xhelal Sveçlës, pritjet janë që të hënën, në mënyrë demonstrative atje t’i dorëzojnë uniformat dhe dorëheqjet e tyre të gjithë pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës.

Qeveria Kurti mësohet se tashmë e ka edhe një plan operativ sesi të veprojë nëse ndodh kjo të hënën, të cilin për shkak të ndjeshmërisë, Demokracia.com ka vendosur të mos e bëj publik, por ai i ka alarmuar KFOR-in dhe disa ambasada të huaja në Kosovë.

Të gjithë pjesëtarët serbë të policisë së Kosovës që dorëhiqen në këto katër komuna veriore pritet të zëvendësohen me pjesëtarë të tjerë. /Demokracia.com/

Të ngjashme