Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kohëve të fundit ka rikthyer në vëmendje çështjen e rivitalizimit të termocentralit Kosova A. Ai madje ka pretenduar se projekti i kompanisë gjermane “Bilfinger”, të cilin po e konsideron si shpëtim për krizën energjetike në vend, ishte refuzuar nga ish-kryeministri Isa Mustafa, që e qeveriste vendin gjatë asaj kohe në vitin 2015. Demokracia.com ka siguruar prezantimin e kësaj kompanie rreth projektit, i cili nuk përmban më shumë se 17 faqe.
Kryeministri Albin Kurti po shprehet i mërzitur që nuk u bë rivitalizimi i termocentralit “Kosova A” nga kompania gjermane “Bilfinger”. Ai, ditë më parë, u shpreh madje edhe në frazë dëshirore “eh sikur” të ishte realizuar një projekt i tillë.
Ndërkaq, “Bilfingerin” kryeministri e përmendi edhe në Kuvendin e Kosovës. Ai akuzoi deputetët e LDK-së se gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet, e kishin refuzuar projektin e kësaj kompanie.
Demokracia.com ka zbuluar ofertën që ka bërë kjo kompani për institucionet vendore gjatë vitit 2015. Projekti që nga Kurti po proklamohet si “madhështor” dhe shumë “i mirë”, në ofertën e “Bilfingerit” përmban vetëm 19 faqe, madje dy prej tyre janë kopertina.
Do të thotë, oferta e “Bilfingerit” për Qeverinë e Kosovës gjatë asaj kohe përbëhej vetëm prej 17 faqeve.
Sipas kësaj kompanie gjermane, investimi total për rivitalizimin e termocentralit “Kosova A”, llogaritej të kushtonte plot 900 milionë euro, gati një miliard.
Lidhur me akuzat e Kurtit, para pak ditësh u prononcua edhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Siç po raporton edhe Demokracia.com, Mustafa ka thënë se kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PowerPoint.
“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelarës, të njëjtën ditë , në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në Facebook.
Problemet e “Bilfingerit” me ligjin
“Bilfinger” si kompani nuk është aspak ashtu siç po e paraqet Kurti.
Kjo kompani, gjatë vitit 2013 u detyrua t’i paguajë 32 milionë dollarë si pasojë e akuzave penale të SHBA-së se ka korruptuar zyrtarët nigerianë për të marrë kontrata për një projekt gazi në vendin afrikan.
Madje, lajmi për këtë ishte bërë i ditur edhe nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, transmeton Demokracia.com.
Prokurorët e akuzuan kompaninë “Bilfinger” se ka dhënë më shumë se 6 milionë dollarë ryshfet, në kundërshtim me Aktin e Praktikave Korruptive të Jashtme të SHBA-së.
Bilfinger punoi me të tjerët për të rritur çmimin e një oferte me 3 për qind për ta mbuluar koston e pagesave.
Gjatë asaj kohe, shefi ekzekutiv i “Bilfinger”, Roland Koch, kishte thënë se kompania ishte e kënaqur t’i lërë pas ngjarjet.
“Në vitet e fundit, Bilfinger ka zgjeruar vazhdimisht instrumentet e pajtueshmërisë dhe sot ka një sistem modern dhe efikas”, tha Koch në një deklaratë.
Por, ky nuk është skandali i vetëm i kompanisë së preferuar nga Kurti. Gazetat gjermane kishin njoftuar se Bilfinger dyshohet të jetë e përzier edhe në një skandal korrupsioni në Brazil.
Kjo kompani thuhej se u ka paguar zyrtarëve të FIFA-s dhe politikanëve lokalë në Brazil më shumë se 20 milionë euro ryshfet për të siguruar realizimin e një projekti të madh ndërtimor./Demokracia.com/