Lajme
EKSKLUZIVE| Berishaj “sekser” special për energji, Gërvallës i raportoi për disa takime (Dokument)
Demokracia
11:26 | 28 Prill 2022

Share:

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është përfshirë në një skandal financiar rajonal, është i dyshuar për tri vepra penale, përkatësisht për fshehje të pasurisë, për invazion fiskal dhe për shpëlarje parash, në tri shtete të ndryshme të rajonit. Në emër të konsulencës, Berishaj kishte marrë vazhdimisht pagesa të majme në kompaninë e tij në Mal të Zi nga GEN-I, dega në Serbi. 

Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci, po dyshohet se i kishte bartur 600 mijë euro CASH nga Mali i Zi deri të politikani slloven Robert Golob. Një pjesë të këtyre parave, siç shihet në dëshmitë e publikuara në një televizion në Slloveni, Berishaj i kishte marrë si pagesa mujore nga GEN-I, dega në Beograd, raporton Demokracia.com.

Megjithatë, Berishaj rezulton të jetë i lidhur me energjinë më shumë se që dihet deri më tani. Edhe në punën e tij si ambasador në Kroaci, Berishaj kishte takime të shumta me kompani energjetike.

Në raportin për punën e tij tremujore në vitin 2022, të cilin e ka siguruar Demokracia.com, Martin Berishaj i kishte raportuar disa prej takimeve që lidheshin me energjetikën.

Kompania GEN-I me zyre në Beograd, nga e cila Berishaj me kompaninë e tij kishte pranuar mijëra euro si konsulent, duket se nuk ishte e vetmja kompani e energjetikës me të cilën ai i kishte “trashur” raportet. Kjo kompani rezultoi se kishte marrë miliona euro nga buxheti i shtetit pikërisht në kohën e kolapsit energjetik në Kosovë.

Demokracia.com ka siguruar raportin e tre muajve të parë të vitit 2022, të cilin ambasadori Martin Berishaj ia ka dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës pak para se të shpërthente skandali financiar, ku ishte i përfshirë edhe vetë.

Dokumentet e siguruara nga Demokracia.com mund t’i lexoni në këto dy linqe:

Pjesa e parë – Raporti zyrtar i ambasadorit Martin Berishaj për MPJD-në për tremujorin e parë të vitit 2022

Pjesa e dytë – Raporti zyrtar i ambasadorit Martin Berishaj për MPJD-në për tremujorin e parë të vitit 2022 (2)

Berishaj në raportin që ia kishte dërguar shefes së tij Donika Gërvalla-Schwarz kishte raportuar disa takime me kompani energjetike. Siç ka treguar vetë në raportin që e ka siguruar Demokraica.com, Berishaj më 12 janar në Ambasadën e Kosovës në Zagreb ishte takuar me Bruno Vidaković – Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit për Zhvillim Regjional në Evropën Juglindore” dhe “Shine Solar Group – Sjaj Grupacija d.o.o.”, në Zagreb.

Vidaković kishte theksuar se me kompanitë e tij realizon projekte transnacionale në fushat e ngritjes së kapaciteteve energjetike, mbledhjen dhe shfrytëzimin e mbeturinave, etj.

“Z. Vidaković, thekson se veprimtaria e firmave të cilat i përfaqëson, realizon projekte të përmasave transnacionale, në ofrimin e shërbimeve të aspektit të ekologjisë së pastër, në fushat e ngritjes së kapaciteteve energjetike, mbledhjen dhe shfrytëzimin e mbeturinave, 18 lloje, si shfrytëzimi ekonomik i ujërave të zeza, ndërtimi i kanalizimeve individuale, mbledhja dhe shfrytëzimi ekologjik e plastikës, mbeturinave spitalore, mbetjeve/hekurishtet e armëve, të veturave, mbetjet inerte të thëngjillit nga termoelektranat, eliminimi i tymit dhe gazrave, si dhe grumbullimi i karbonit, përpunimi, shitja dhe shfrytëzimi ekonomik i tyre 100%, me teknologji moderne dhe pastruese të ambientit”, kishte raportuar Berishaj pak ditë para publikimit të skandalit në Slloveni, përcjell Demokracia.com.

Ndër të tjera, Berishaj e lavdëronte kompaninë duke thënë se ka bashkëpunim me firma të mëdha botërore dhe bënë koncepte zhvillimore për ato, si p. sh. ’VERSACE’, duke theksuar se kanë partnerë shumë të mëdhenj, me firma të ndryshme nga Australia, Kina, Korea, Rusia etj.

“Z. Vidaković, shpreh interesimin për bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës në projekte të shumta, duke potencuar se e gjithë veprimtaria e realizimit të projekteve, të firmave të cilat ai i përfaqëson është me teknologji ekologjike bashkëkohore”, kishte shkruar Berishaj.

Po ashtu, ambasadori Berishaj i kishte raportuar Gërvallës edhe për një takim me përfaqësuesit e kompanisë sllovene ‘DIMAS’ për mirëmbajtjen e turbinave dhe transformatorëve energjetikë.

Në takimin që kishte zhvilluar më 22 shkurt, ambasadori Martin Berishaj, i cili nuk harron asnjëherë që vetes t’i referohet me titullin Dr., ka pritur përfaqësuesit e kompanisë sllovene ‘DIMAS’, drejtorin Janez Tomažin dhe drejtorin teknik Tomaž Majce.

Siç thotë Dr. Berishaj, qëllimi i takimit ishte vënia e kontakteve fillestare me këtë kompani për të shikuar mundësinë e bashkëpunimit me Kosovën lidhur me ofertat e prezantuara të produkteve dhe shërbimeve, të cilat i ofrojnë në lëmin e mirëmbajtjes së gjeneratorëve/turbinave dhe transformatorëve energjetikë.

“Z. Janez Tomažin, tha se si kompani merren me mirëmbajtjen (ESET Menaxhment), dhe përcaktimin e hapave të investimeve, duke përcjellë dhe filtruar vajin në gjeneratorë/turbina dhe transformatorë të elektranave. Ai theksoi se analiza dhe përcjellja e gjendjes së vajit nëpër turbina, pastrimi dhe filtrimi i tij nga mbeturinat, uji si dhe duke i shtuar aditiv, që shton jetëgjatësinë e tyre dhe kursen në shpenzimin e panevojshëm në ndërrimin e vajit të turbinave/transformatorëve për një kohë të gjatë. Gjithashtu theksoi se kanë një makinë/instrument me sistem senzori, i cili e përcjellë gjendjen e vajit në turbinë/transformator gjatë procesit të punës, duke shtuar se me këtë makinë mund të përcjellët gjendja e vajit edhe dy vite mbrapa, si dhe gjendja e përgjithshme e turbinave mundet të përcjellët në formë digjitale edhe përmes telefonit”, kishte raportuar Berishaj në MPJD, përcjell Demokracia.com.

Një fjali tjetër e raportit të Berishajt duket si e “ekspertizës” së Kurtit për “bojlera e filtera”.

“Ne kemi dy makina, të cilat janë të parat në botë, ka shumë sisteme, por janë të parapara për kondicionimin e vajit. Kemi firmën e Zelandës së Re -‘TRAJAN’, të cilët e kanë bërë në të njëjtin princip, i cili bënë analizën dhe përcjelljen e gjendjes së vajit. Në fund z. Tomažin theksoi se më këtë sistem të përcjelljes së gjendjes së vajit, aq sa qëndron vaji, qëndron edhe turbina ose transformatori, duke e zgjatur jetëgjatësinë dhe qëndrueshmërinë e tyre p.sh. nga 30 vite në 70 vite. Sistemi e bënë analizën dhe përcjellë gjendjen e vajit, i cili kur të pastrohet, turbinës mund të i shtohet nga 10% deri 15%, ndërsa deri në 90% mbetet e njëjta”, kishte shtuar Berishaj.

Nga raporti që kishte bërë vetë ambasadori Martin Berishaj, rezulton se ai një kohë të madhe ia kishte kushtuar takimeve për energjinë.

Berishaj i kishte raportuar Ministrisë së Jashtme edhe për një takim tjetër me një ekspert të energjetikës, shkruan Demokracia.com.

Ai ishte takuar edhe me Ratko Gjorgjeviç, ekspert i energjetikës dhe ambientit.

Takimi kishte ndodhur më 16 mars në hapësirat e Ambasadës së Kosovës në Zagreb.

Berishaj e kishte njoftuar ekspertin se Qeveria e Kosovës kishte vendosur të bëjë një strategji të re për energjinë.

“Duke vazhduar z. Gjorgjeviç, tha se malet si relief pasuri e një vendi kanë benefite, ato absorbojnë/marrin CO2 dhe lirojnë O2, dhe strategjia për energjinë duhet orientuar në çështjen e ambientit, dhe se tani me financimin nga BB, për strategjitë për energjinë janë në fazë të zhvillimit/hartimit duke angazhuar Gjermaninë”, thuhet më tej në këtë raport.

Berishaj shton se amerikanët kishin bërë një studim në Maqedoninë Veriore, të financuar nga BB, për shëndetin, duke konstatuar se shëndetësisë kjo i ka kushtuar 500 mil dollar, si rezultat i ndotjes së ambientit (duke shtuar se 30% e ndotjes se ambientit vjen nga Kosova-Obiliq).

Ambasadori Martin Berishaj duket se është njohës i mirë i energjisë, pasi që ai shkruan edhe sesi Evropa në periudhën deri në 2030 ka paraparë të shfrytëzojë 200 miliardë euro për projekte energjetike për ruajtjen e ambientit dhe se do të ketë direktiva që do të ndalojnë projektet që ndotin ambientin.

“Nuk do të jetë energjia diellore, do të ketë orientime në strategji dhe projekte të centraleve atomik/bërthamore. Në Amerikë NASA, është duke punuar në 7 projekte, në energjinë diellore, jo solare, por atë llaserike”, thuhet tutje në raport.

Për më tepër, Berishaj me Gjorgjeviç kishte folur edhe për një kontratë të mundshme me shtetin e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

“Z. Gjorgjeviç tha se nëse mund të marr një kontratë do të shkoi ne Kosovë për të shikuar çfarë duhet bërë, ndërsa do të ju dërgoi një pyetësor, lidhur me atë se çfarë mund të punoi eksperti? Ai shtoi se do ti shikoi programet strategjike që janë duke u punuar. Bateritë 3×75, për dy hektarë amerikanët i kanë dhënë për zhvillimet regjionale. Ato janë në përqindje ambientale në gjelbërim 70% deri në 80% dhe se lidhur me këtë ka financa (para), të parapara deri në vitin 2050, në shuma të mëdha, aq sa në mungesë të projekteve mund të mos shpenzohen”, shkruhet në raportin e Berishajt, përcjell Demokracia.com.

Po ashtu, dje u raportua se Martin Berishaj ishte takuar në Zagreb edhe me drejtorin e KEK-ut, të cilin duket se ai e ka fshehur në raportimin zyrtar për MPJD-në.

Drejtori i KEK-ut e kishte vizituar Kroacinë në muajin mars. Atje ishte takuar me ambasadorin Martin Berishaj dhe një tregtar të rrymës, që në të kaluarën jo shumë të largët dyshohet se kishte bërë tregti me kompani të drejtuara nga Vuk Hamoviqi, ish-punëtor i BIA-s serbe.

Ky takim, sipas burimeve të Gazetës Nacionale, kishte ndodhur në kryeqytetin e Kroacisë prej datës 16 deri më 20 mars 2022.

Krasniqi është edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe dikur drejtonte Komitetin për Energji në partinë politike në pushtet. Në këtë takim pjesëmarrës ishte edhe përfaqësuesi i kompanisë HEP Kroacia (Hrvatska Elektroprivreda), Zekë Alia. HEP është kompani publike kroate që merret me eksport dhe import të energjisë elektrike.

Një javë më parë, mediat sllovene kishin raportuar se në llogarinë e kompanisë MB Consulting të Martin Berishajt ishin transferuar mijëra euro, të cilat ishin tërhequr më pas në CASH, për ç’gjë e kishte tërhequr vëmendjen e administratës tatimore të Malit të Zi.

Përkundër që e kishte obligim ligjor, Berishaj nuk i kishte deklaruar kompanitë e tij të regjistruara jashtë Kosovës në Agjencinë Kundër Korrupsionit. /Demokracia.com/

Të ngjashme