Intervista
Ekskluzive: Ardita Sinani flet për përfshirjen në dialogun me Serbinë dhe prioritet e saj si kryetare e Preshevës
Demokracia
14:01 | 13 Maj 2021

Share:

Të hënën, më 10 maj, Ardita Sinani është zgjedhur kryetare e Komunës së Preshevës. Për herë të parë kjo komunë do të ketë në krye një grua, e cila në një intervistë ekskluzive për Demokracia.com, ka folur për detyrën e saj të re. Kryetarja Sinani ka treguar katër prioritet e qeverisjes së saj, derisa premton se së shpejti do të zhvillojë një vizitë në Kosovë e Shqipëri. Ajo po ashtu thekson se çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë temë në dialogun me Serbinë me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga kjo komunë.

Lugina e Preshevës duhet të ketë një trajtim të veçantë institucional nga autoritet e Prishtinës dhe Tiranës, vlerëson kryetarja e re e Preshevës, Ardita Sinani.

Sinani në një intervistë për Demokracia.com ka thënë se do të ketë qëndrime të unifikuara edhe me kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifin si dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafa, karshi pushtetit serb, për të cilin thotë se po diskriminon kombëtarisht dhe socio-ekonomikisht Luginën e Preshevës.

Demokracia.com: Ju jeni gruaja e parë që udhëhiqni Preshevën. Çfarë ndjenje është kjo për juve?

Ardita Sinani: Më bën të ndjehem krenare qeverisja me Preshevën. Sot jemi një nga komunat e pakta në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor që ka një grua për kryetare. Kjo nuk është e një rëndësie të vogël, meqë nga një komunë me një ambient të kontaminuar lokal politik, të dominuar nga një pushtet lokal arrogant, me gjuhë urrejtjeje, gjuhë seksiste, shpifje, fyerje e lajme të rreme; tanimë jemi në listën e komunave më të emancipuara politikisht. Ky është ndryshim i madh progresiv. Në këtë aspekt tashmë jemi model pozitiv referues edhe për komunat e tjera në Serbi dhe në Kosovë.

Demokracia.com: Si kryetare e Preshevës, cila është puna e parë që do ta përfundoni, cilat janë prioritetet e juaja?

Ardita Sinani: Paralelisht me konsolidimin e qeverisjes së re, ne do ta angazhojmë një revizor profesional dhe të pavarur, për të shqyrtuar se si janë shpenzuar mjetet e buxhetit publik nga qeverisja paraprake. Është me rëndësi t’i qartësojmë dyshimet e shumta për korrupsion dhe keqpërdorime të parave të taksapaguesve tanë. Së dyti, do të fillojmë me realizimin e zotimeve të fushatës sonë parazgjedhore në katër segmente prioritare e themelore:

  • Bizneset, Bujqësia dhe Blegtoria – përmes të cilave e rrisim punësimin dhe arrijmë zhvillimin;

  • Administratë për të gjithë – administratë që qeveris në mënyrë transparente dhe që i digjitalizon shërbimet për të garantuar barazi të qytetarëve në punësim e për ta luftuar nepotizmin;

  • Uji dhe mbeturinat – furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për të gjitha vendbanimet e Preshevës dhe pastrim e menaxhim të mbeturinave për të gjitha lokalitet e komunës;

  • Hapësira publike – shtimi i parqeve, këndeve të lojërave dhe hapësirave publike për qytetarët.

Këto janë pikat programore që garantojnë një Preshevë më të zhvilluar, më të pastër, me më shumë barazi, më të bukur, e më dinjitoze.

Demokracia.com: Cilat do të jenë raportet e juaja me Kosovën dhe Shqipërinë, a pritet të zhvilloni ndonjë vizitë në Prishtinë ose Tiranë?

Ardita Sinani: Si qeverisje lokale e Preshevës, së pari do ta kthejmë bashkërendimin me drejtuesit e komunës së Bujanocit, Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe me deputetët shqiptarë në parlamentin e Serbisë për harmonizimin e qëndrimeve politike brenda nesh, në përputhje me Platformat dhe Deklaratat Politike, ku i kemi të parashtruara problemet dhe kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Pastaj edhe si të zgjedhur institucionalë, edhe si qeveri lokale e Preshevës, ne do ta dinamizojmë bashkëpunimin me autoritetet zyrtare dhe politike në Prishtinë dhe Tiranë. Ne besojmë së Lugina e Preshevës duhet të ketë trajtim të veçantë institucional në bazë të një strategjie të përbashkët ndërshtetërore nga autoritetet e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, për shkak të gjendjes së rëndë së Luginës së Preshevës, por edhe për shkak të proceseve politike që priten të zhvillohen lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Së shpejti do ta vizitojë edhe personalisht Tiranën dhe Prishtinën.

Demokracia.com: E keni përmendur edhe më herët dialogun Kosovë-Serbi. Cili do të jetë qëndrimi juaj në këtë proces, a do të jetë kërkesë e juaja që të angazhoheni që të bëheni pjesë e tij?

Ardita Sinani: Është joproduktive që të synohet paqe e qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Luginës së Preshevës. Çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, edhe si temë, edhe përmes pranisë fizike së të zgjedhurve të Luginës së Preshevës.

Demokracia.com: A do të bëheni zë edhe më i fuqishëm për shqiptarët, duke marrë parasysh se jeni pjesë e së të njëjtës parti me Shaip Kamberin?

Ardita Sinani: Sigurisht se është më mirë kur kryetarja e Komunës së Preshevës ka politika të harmonizuara më shefin e grupit parlamentar të Luginës së Preshevës në parlamentin e Serbisë, z.Shaip Kamberi. Me ikjen e ish-kryetarit të Preshevës që ishte partner politik dhe bashkëqeverisës i SNS-së të Vuçiqit dhe SPS-së së Ivica Daciqit, tashmë edhe kryetarja e Preshevës, edhe kryetari i Bujanocit, edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, edhe shefi i deputetëve të Luginës, kanë qëndrime të unifikuara karshi pushtetit autoritar dhe nacionalist të Beogradit, që po shtyp dhe diskriminon kombëtarisht dhe socio-ekonomikisht Luginën e Preshevës.

Demokracia.com: A pretendoni që një ditë të bëheni kryetare e Partisë për Veprim Demokratik?

Ardita Sinani: Kryetari aktual i PVD-së, z.Shaip Kamberi, përpos që është në mandatin e tij të parë si kryetar, po shquhet gjithandej në rajon me përfaqësimin e tij politik, por edhe me organizimin dhe drejtimin e partisë. Kjo është vlerë jo vetëm për ne si parti, por edhe për Luginën e Preshevës. Përkushtim i imi është qeverisja e Komunës së Preshevës.

Demokracia.com: Sa ka qenë e vështirë që t’i bindni partnerët e tjerë që të bëheni bashkë në koalicion qeverisës?

Ardita Sinani: Më shumë se çështje bindje ishte çështje harmonizimi politikash dhe ndërtim mirëbesimi për krijimin e një qeverisje më të mirë. Presheva e pati modelin e ndryshimit negativ me Shqiprim Arifin, që përfundoi në “stërkeqjen” e qeverisjes. Shqiprim Arifi ishte një ëndërr e keqe. Tash që jemi zgjuar na duhet edhe ndërrimi i qeveritarëve edhe ndryshimi i qeverisjes së keqe me një qeverisje më të mirë.

Kjo qeverisje e re ishte vullnet i qytetarëve të cilët votuan me shumicë që ish-opozita të bëhet pushtet i ri dhe që pushteti i vjetër të jetë opozitë e re. Sot përfaqësimi është vullneti dhe zëri i popullit. E kjo është tejet me rëndësi

Me këtë koalicion qeverisës janë arritur dy fitore të rëndësishme. E para, Presheva është tashmë një nga të paktat komunat e vendit që nuk është nën kontrollin e pushtetit absolut dhe anti-shiptar të Aleksandër Vuciqit; dhe, e dyta, Presheva ka tashmë një qeverisje reformatore dhe transformuese.

Demokracia.com: Si është pritur kjo nga partia fituese e zgjedhjeve, konkretisht nga Shqiprim Arifi?

Ardita Sinani: Shqiprim Arifi dhe partneri i tij bashkëqeverisës Lista Serbe dolën pakicë nga zgjedhjet e fundit lokale. Fatkeqësisht nuk po duket se e kanë kuptuar që Presheva nuk duron politika të nënshtrimit ndaj Beogradit.

Demokracia.com: Si do të merreni me problemet e mëdha e imediate të komunës? Për shembull, çfarë po ndodhë me Maternitetin në Preshevë, pasi që është raportuar se gratë po shkojnë të lindin në Vranjë dhe në qytete të tjera. A do të merreni me këtë çështje, për çfarë arsye mendoni se po ndodhë një gjë e tillë?

Ardita Sinani: Materniteti po zhvillohet. Duke qenë shërbim profesional, por edhe publik, ai po i shërben shumë grave dhe vajzave të komunës sonë, e sidomos atyre me vështirësi ekonomike dhe sociale. Materniteti është jetik për gratë dhe vajzat të Luginës së Preshevës.

Por shqiptarët duhet të kenë më shumë qasje në mjekësi sekondare në përgjithësi, një e drejtë kjo që i ndalohet nga politika diskriminuese shtetërore e cila spitalin rajonal të Vranjës, që mbulon edhe Preshevën edhe Bujanocin, e ka shndërruar në spital me staf pothuajse vetëm serb, edhe pse popullata e Preshevës dhe Bujanocit përbën rreth 30 për qind të popullatës së rajonit.

Demokracia.com: Tash e disa vite nuk dihet gjë për Lapidarin, a do të angazhoheni në këtë çështje?

Ardita Sinani: Qasja e shtetit serb ndaj Lapidarit edhe sot flet më së miri për profilin politik të pushtetit në Serbi. Së fundi patëm edhe provokimin e ri me largimin e flamurit kombëtar shqiptar dhe zëvendësimin e tij me flamurin serb te vendi i rënies së një dëshmori të UÇPMB-së në Konçul të Bujanocit. Por s`mund të pritet më mirë nga një qeveri që lartëson ende Ratko Mlladiqin, apo që nderon së fundi edhe shkrimtarin Peter Handke, si mohues të gjenocidit të Srebrenicës, dhe të krimeve të forcave serbe në ish-Jugosllavi. Fatkeqësisht, megjithëkëtë, ky pushtet që po e degradon edhe vetë Serbinë, po përkëdhelet ende ndërkombëtarisht, për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

 

Të ngjashme