Lajme
Ekonomisti ‘i palavdishëm’ Kurti, para pesë viteve fatkeqësinë e shihte te “inflacioni 3%”
Demokracia
23:06 | 03 Prill 2024

Share:

Në prag të përfundimit të mandatit të tij katërvjeçar, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e gjen veten në ‘kurthin’ e presionit për të përmbushur premtimet për mirëqenie ekonomike gjatë fushatës elektorale. Me mbi 50 për qind të votave nën supe, udhëheqja e Kurtit është karakterizuar nga kritika të ashpra nga opozita, veçanërisht në lidhje me “stagnimin ekonomik të vendit”. Pikërisht në këtë kontekt, parë në retrospektivë, rezulton se disa nga kritikat e Kurtit opozitar ishin përveç të ngutshme, gati edhe qesharake. Marrim, për shembull, vërejtjen e tij të çuditshme për “inflacionin në 3 për qind” – një deklaratë që ndoshta pasqyronte edhe përpjekjet e tij fillestare për të operuar në kompleksitetin e numrave në ekonomi, për çka e tashmja është dëshmitari përgënjeshtrues i tij.

Kush nga pushtetarët do ta çonte në mendje se ndër sfidat më të vështira me të cilat do të përballeshin qytetarët e Kosovës gjatë 3 viteve të fundit do të ishte inflacioni dhe se qeveria e tyre do ta thyente brutalisht këtë ‘rekord’ të inflacionit pothuajse që nga fillimi i marrjes së pushtetit.

Me inflacionin që arriti në 14.2 për qind në mesin e vitit 2022, qeveria bëri pak për ta frenuar atë. Rritja eksponenciale e produkteve e dobësoi jashtëzakonisht fuqinë blerëse.

Përderisa gjatë këtyre viteve Agjencia e Statistikave të Kosovës vazhdimisht raportonte për nivele dyshifrore të inflacionit, para disa vitesh Kurti kritikoi qeveritë e mëparshme për “inflacion 2 për qind”, rritje që në atë botë, sipas tij, ishte jashtëzakonisht e lartë.

“Thonë rritja ekonomike gati 4 për qind. Por inflacioni e ki mbi 3 për qind. T’ka ra numri i të punësuarve. T’u kanë rrit çmimet. Ikin njerëzit.” deklaronte Kurti gjatë një interviste në “Pressing”.

Madje, Lëvizja Vetëvendosje e konsideronte alarmant inflacionin e 3.4 për qind të vitit 2019 duke shkruar se “kjo është shkalla më e lartë në një muaj që nga muaji janar 2013”.

“Shkalla vjetore e inflacionit në muajin maj 2019, krahasuar me muajin maj 2018, ishte 3.4%. Kjo është shkalla më e lartë në një muaj që nga muaji janar 2013. Rritjet më të mëdha të çmimeve u shënuan në produktet bazë, të cilat përbëjnë pjesën kryesore të shportës së çdo familjeje. Këto çmime janë rritur ende pa u rritur pagat, dhe një rritje e dytë sigurisht se do të ndodhë pas rritjes së pagave. Ndërkohë që pagat pritet të rriten për disa, çmimet po rriten për të gjithë e fuqia blerëse po zvogëlohet më së shumti tek të varfërit”, kishte shkruar Lëvizja Vetëvendosje.

Që nga ardhja e Vetëvendosjes në pushtet, rritja eksponenciale e çmimeve ishte ndoshta problemi më i madh në Kosovë, me produktet bazë që “preknin stratosferën”.

Pavarësisht shumave të konsiderueshme të parave që u shpenzuan për “mbrojtjen sociale”, raportet ndërkombëtare vlerësuan se pakot e ndihmës sociale ishin “të varfra në projektim” dhe nuk ishin në gjendje t’u ofronin njerëzve ndihmën e nevojshme.

Të ngjashme