“Sigurisht që rritja e kostos së energjisë elektrike ka efekt zinxhiror pasi fillimisht ulet kërkesa për blerje sepse konsumatori kosovar do të paguajë më shumë, në bazë të përllogaritjeve brenda vitit konsumatorët kosovarë do të paguajnë 53 milionë euro shtesë dhe kjo sigurisht që do të ndikojë në fuqinë e tyre blerëse. Pastaj edhe te biznesi ndikon në aspektin zinxhiror, duke marrë për bazë edhe kostot operacionale që ka biznesi, sigurisht kjo rrit edhe inflacionin dhe ndikon jashtëzakonisht keq në ekonominë e vendit”, ka thënë ai.
Ai për dokumentarin Expose është shprehur se konsumatori kosovar do të targetohet dy herë me rritje të çmimeve, duke bërë që ai ta bartë barrën kryesore.
“Rritja e energjisë elektrike sidomos është në kohën e papërshtatshme pasi qytetarët e Kosovës janë lodhur me ngritjet e vazhdueshme të çmimeve, ka rënie të inflacionit por ngritje të çmimeve dhe kjo sigurisht që do të ndikojë. Mendoj se nuk do të duhej të rritej çmimi i energjisë elektrike sepse kemi vakum institucional dhe bizneset e pandërgjegjshme po shfrytëzojnë situatën dhe po i ngrisin çmimet, e për pasojë qytetari kosovar po goditet nga të gjitha aspektet. P.sh.: kemi rritjen e çmimit të rrymës për 16.1 për qind për ekonomitë familjare dhe kemi rritje të çmimeve, ku konsumatori kosovar targetohet dy herë me rritje të çmimeve dhe sigurisht që barrën kryesore dhe të vakumit institucional po e bart qytetari kosovar”, ka theksuar Beqiri.
Po ashtu, ai ka folur dhe për ndikimin e mungesës së institucioneve të reja. Ai thotë se institucionet duhet ta mbikëqyrin tregun dhe t’i dalin në ndihmë qytetarëve, pasi jeta po u bëhet e papërballueshme.
“Faktikisht kemi një rritje të çmimeve në bazë të perceptimit sepse aktualisht nuk kemi një kosto që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve por mungesa e inspektorëve, mungesa e institucioneve ka ndikuar që ato të rriten. Institucionet e Kosovës do të duhej të ishin në krye të detyrës për faktin që veç janë në detyrë dhe ta mbikëqyrin tregun, sepse konsumatori kosovar po përballet çdo ditë dhe askush nuk i del në ndihmë. Prandaj, mendoj se institucionet qoftë këto që janë në detyrë, qoftë të ardhshmet, do të duhej që ta ketë fokus zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e konsumatorëve sepse tashmë konsumatori kosovar edhe në bazë të thirrjeve për bojkot që ishin, ka kërkesë që t’i dilet në ndihmë sepse është e papërballueshme të dilet në situatën aktuale me pagat që janë në Republikën e Kosovës”, ka potencuar ai.
Ekonomisti Beqiri ka potencuar se në Kosovë janë diku 30 inspektorë të tregut dhe kjo nuk garanton mbikëqyrje të duhur të tregut, ku për pasojë janë këto çmime.
“Për vet faktin se sipas të dhënave të Doganës shumica e produkteve, ta zëmë speci hyn në Kosovë me 1.50 euro dhe shitet 7 euro. Kjo nënkupton se nuk ka inspektorë të mjaftueshëm që ta inspektojnë tregun, janë diku 30 inspektorë në tërë Kosovën dhe kjo nuk garanton mbikëqyrje të tregut dhe për rrjedhojë i kemi edhe këto çmime. Për pasojë konsumatori kosovar po detyrohet t’i paguajë çmimet edhe si mungesë e mekanizmave shtetërorë që e mbikëqyrin tregun”, ka përfunduar Lulzim Beqiri./Gazeta Blic/