Lajme
Ekonomistët: Pakoja ekonomike duhet të jetë gjithëpërfshirëse
Demokracia
08:42 | 15 Shtator 2022

Share:

Kosova, sikurse edhe vendet e tjera, po përballet me shkallë të lartë të inflacionit e cila ka shkuar në 19.2 %. Qeveria e Kosovës ka dalë me një pako mbështetëse për t’u përballur me këtë situatë. Ekonomistët ndërkaq thonë se pakoja, duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa duhet të rritet numri i vendeve të punës.

Kosova po përballet me shkallë të inflacionit 19.2%. Kështu i tha Radio Kosovës eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, i cili konsideron se në këtë situatë, është e nevojshme dora e shtetit. Mirëpo, sipas tij, pakoja për përballje me inflacionin, duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

“Kjo pako duhet të jetë në funksion të minimizimit të pasojave të krizës, mirëpo nuk zgjidhet problemi social me pako ad hoc dhe me vendime të tilla. Duhet të ketë analizë dhe pako të tilla, duhet të këtë qasje gjithëpërfshirëse dhe jo segmentuese. Duhet duartrokitur çdo iniciativë që është në mbështetje të qytetarëve edhe pse nevojat e qytetarëve janë jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe në atë emocional dhe social, ku po vërehet se nuk ka komunikim dhe dialog të mirëfilltë”, deklaroi Gërxhaliu.

Në këtë pako, sipas Gërxhaliu, duhet përfshirë sektori privat i cili e bënë buxhetin e konsumit të shtetit.

E kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha se qeveria duhet të ketë strategji tjetër për t’u përballur me inflacionin.

“Por çka mund dhe duhet të bëjë Kosova është që të rrisë kapacitetet e veta investuese në sektorin e prodhimtarisë, në mënyrë që në të varemi më shumë nga prodhimi vendor. Të rritet mundësia e  punësimeve të reja, të investohet në projekte që gjenerojnë kapital dhe gjithë kjo do të ulë inflacionin i cili është më i larti ndonjëherë në Kosovë. Qeveria nuk ka strategji për t’u përballur me inflacion”, shtoi ai.

Në përkrahje të qytetarëve, në muajt në vijim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndajë rreth 150 milionë euro për “Pakon për Përballje me Inflacionin”.

Në këtë pako për zyrtarët publikë, Qeveria do të ndajë shtesa prej 50 eurosh, duke filluar nga muaji shtator, kurse për punëtorët e ndërmarrjeve publike do të ndajë shumë të menjëhershme prej 100 eurosh. Po ashtu, do të përkrahen edhe bizneset që ua rrisin pagat punëtorëve duke ia subvencionuar 50 % të rritjes së pagës për tre muaj.  Nga 100 euro do të marrin edhe studentët.

Të ngjashme