Lajme
Ekonomia e Kinës pati një rritje të dobët prej 4.8% në periudhën janar-mars
Demokracia
22:33 | 19 Prill 2022

Share:

Udhëheqësit kinezë po përballen me presion për të mbështetur rritjen ekonomike, pasi Shangai dhe qytetet e tjera u mbyllën për të përballuar shpërthimet e koronavirusit, duke kërcënuar kështu ndërprerjen e tregtisë dhe të prodhimit global.

Rritja ra në 1.3% gjatë tremujorit të mëparshëm, në tre muajt e parë të vitit 2022, nga një normë 1.4% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të hënën. Krahasuar me një vit më parë, një krahasim ky që mund të mos llogarisë luhatjet e fundit, rritja ekonomike ishte 4.8%, një rritje nga shifra 4% në tremujorin e fundit të vitit 2021.

Shitjet me pakicë në muajin mars ranë me 3.5% krahasuar me një vit më parë, një shenjë kjo që reduktimi i rritjes ekonomike mund të vazhdojë të thellohet.

Aktiviteti i këtij muaji pritet “të jetë akoma më keq”, tha në një raport Julian Evans-Pritchard nga Capital Economics. “Performanca ekonomike e Kinës ka të ngjarë të vazhdojë të mbetet e dobët në planin afatshkurtër.”

Partia Komuniste në pushtet, e cila vendosi një objektiv rritjeje ekonomike prej 5.5% këtë vit, po përpiqej të ndryshonte ritmin e rënies që filloi që nga mesi i vitit 2021. Presioni i shtuar pas rritjes së numrit të infektimeve gjatë muajit të kaluar bëri që Pekini të pezullonte aksesin në Shangai, një qytet me 25 milionë banorë, si dhe në disa qendra të tjera industriale.

“Ndikimet e mëtejshme nga këto izolime janë të pashmangshme”, tha Iris Pang nga ING në një raport.

Ky ngadalësim i rritjes ekonomike dëmton partnerët tregtarë të Kinës, duke ulur kërkesën për naftë të importuar, ushqim dhe mallra të konsumit. Çmimet e naftës, të cilat u rritën ndjeshëm pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, janë zbutur për shkak të pritshmërive që konsumi në Kinë do të dobësohet.

Partia në pushtet premtoi rimbursime taksash dhe ndihma të tjera për bizneset, pasi kontrollet e forta mbi përdorimin e borxhit shkaktuan një ngadalësim në industrinë e madhe të pasurive të paluajtshme të Kinës. Javën e kaluar, Kryeministri Li Keqiang bëri thirrje për veprime më të shpejta për të ndihmuar sipërmarrësit që gjenerojnë punë të reja dhe rritje ekonomike për Kinën.

Parashikuesit e situatës ekonomike thonë se Pekini po përdor paketa stimuluese të kujdesshme dhe të targetuara, në vend të shpenzimeve të përgjithshme. Kjo strategji do të ketë nevojë për më shumë kohë për të dhënë rezultate. Udhëheqësit kinezë shqetësohen se shpenzimet e tepërta ose huadhënia bankare mund të rrisë kostot e pasurive të paluajtshme ose borxhin e korporatave, të cilat edhe aktualisht janë në nivele jashtëzakonisht të larta.

Ndërkohë, Kina po përballet me akoma më shumë vështirësi për shkak të një ngadalësimi të mundshëm të rritjes ekonomike në Bashkimin Evropian, një treg i madh eksporti, për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës dhe rritjes së çmimeve të naftës dhe të gazit, sipas Rajiv Biswas nga S&P Global Market Intelligence.

Kjo “do të godiste eksportet e sektorit të prodhimit të Kinës”, tha Biswas, trnamseton Monitor.al.

Fluksi i mallrave industriale është ndërprerë për shkak të pezullimit të aksesit në Shangai, vendi ku ndodhet porti më i ngarkuar në botë, dhe në qytete të tjera industriale, duke përfshirë Changchun dhe Jilin në verilindje. Prodhuesit globalë të automjeteve dhe të mallrave të tjera kanë reduktuar ose kanë ndaluar plotësisht prodhimin në fabrikat kineze.

Ndërprerja “do të rëndojë mbi aktivitetin ekonomik të muajit prill dhe maj, ndoshta edhe më gjatë,” tha në një raport Tommy Wu nga Oxford Economics. Kjo “ka të ngjarë të ketë një ndikim të rëndësishëm në zinxhirët e furnizimit global”.

Numrat e fundit të infektimeve në Kinë janë relativisht të ulëta, por Pekini po i përgjigjet përhapjes më të madhe të infektimeve që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020 me një politikë “zero-COVID”, e cila synon të izolojë çdo person që rezulton pozitiv.

Kërkesa e konsumatorëve, një motor i rëndësishëm për ekonominë, u reduktua si pasojë e apelit të qeverisë drejtuar publikut për të shmangur udhëtimet gjatë festës së Vitit të Ri Hënor në muajin shkurt, një periudhë gjatë së cilës shpenzimet për dhurata, bankete dhe turizëm janë normalisht më të larta.

Prodhimi i fabrikave kineze u rrit me 6.5% gjatë tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me një vit më parë. Investimet në fabrika, prona të paluajtshme dhe në asete të tjera fikse u rritën me 9.3%, duke reflektuar ndoshta lehtësirat e kreditimit.

Këtë tremujor, shitjet me pakicë mund të bien me 5.5% nga një vit më parë, ndërsa prodhimi i fabrikave mund të kontraktohet me 1.5%, sipas ekonomistëve nga Nomura, Ting Lu, Jing Wang dhe Harrington Zhang.

“Tregjet globale po e nënvlerësojnë ngadalësimin e rritjes së Kinës”, i cili “do të përhapet edhe në pjesën tjetër të botës”, thanë ata në një raport./Associated Press

Të ngjashme