Deficiti tregtar i Kosovës në muajin qershor ishte 6,7%. Eksporti i mallrave në këtë muaj kishte vlerën e vetëm 73,4 milionë euro, ndërsa importi ka shkuar në 498,7 milionë euro.
Ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë keq e më keq për çdo ditë.
“Ditë të zeza” po përjeton Kosova nën qeverisjen e Albin Kurtit, ndonëse kishte premtuar një ekonomi më të mirë për vendin.
Shifrat tregtare tek eksporti dhe importi i mallrave janë ende të largëta. Madje, diferenca mes shitjes së mallrave dhe blerjes së tyre është me qindra e miliona euro, shkruan Demokracia.com.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 6,7% në muajin qershor 2024, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 425,4 milionë euro krahasuar me deficitin prej 398,0 milionë euro në vitin 2023.
“Eksporti i mallrave në muajin qershor 2024 kishte vlerën 73,4 milionë euro, ndërsa importi 498,7 milionë euro, që është një rritje prej 7,0% për eksport, si dhe një rritje prej 6,7% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023”, thuhet në raportin e publikuar, përcjell Demokracia.com.
Kosova, si çdo herë edhe gjatë muajit qershor, blerjen më të madhe të mallrave e ka bërë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si vende të CEFTA-s.
“Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 64,6 milion Euro, ose 13,0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-10,8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,4%), Maqedonia e Veriut (4,6%), Serbia (1,7%)”.
Kurse, nga shtetet e BE-së, nga të cilat ka blerë më shumë mallra Kosova janë Gjermania, Italia dhe Greqia.
“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 228,5 milion Euro, ose 45,8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14,5%. Importet me pjesëmarrje m[ të lartë ishin nga: Gjermania (13,5%), Italia (5,8%), Greqia (5,0%), etj”.
Ajo që bie në sy është se kosovarët vazhdojnë të ushqehen më së shumti me produkte të importuara. Po ashtu, edhe pijet dhe duhani po vazhdojnë të importohen shumë.
“… sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13,3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,1% e përbëjnë produktet minerale; 11,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 9,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.”.
Ndërkaq, sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9,9% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 5,7% e përbëjnë produktet minerale; etj.
“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 25,0 milionë euro, ose rreth 34,0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 9,0%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11,0%), Italia (4,5%), Holanda (3,6%), etj”.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 32,8 milionë euro.
“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 32,8 milionë Euro, ose 44,8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 17.6%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (17,6%), Maqedonia e Veriut (14,6%), Serbia (5,5%), Mali i Zi (5,2%)”. /Demokracia.com/