Lajme
Ekonomia britanike në tkurrje, shkak karantinimi në nëntor
Demokracia
09:06 | 16 Janar 2021

Share:

Ekonomia britanike është tkurrur në Nëntor për të parën herë që prej karantinës së parë të Covid-19 në Pranverë, duke pësuar goditje nga masat e distancimit social.  Rënia me 2.6% ishte më e vogël se projeksionet e analistëve, por disa ekspertë presin ende një recesion të dyfishtë për vitin 2020.

Ekonomia britanike, që u tkurr me një normë më të madhe se ç’do vend i zhvilluar në gjysmën e parë të vitit 2020, është tashmë 8.5% më e vogël se ç’ka qenë në nisje të pandemisë në Shkurt.  “Situata do përkeqësohet dhe të dhënat theksojnë përmasën e sfidës që po përballemi”- tha ministri i Financave, Rishi Sunak, transmeton Scan TV.

Megjithatë, sipas tij, prezantimi i vaksinave, që ka qenë shumë më i shpejtë se në vendet e Europës, ofron një arsye për shpresë. Disa ekspertë kanë paralajmëruar se Britania ndodhet ende përpara një recesioni tjetër, me ekonominë që pritet të tkurret në tremujorin e fundit 2020 dhe të parin 2021.

Përmasa e goditjes ekonomike në Nëntor është shumë më e vogël se në karantinën e parë gjatë Pranverës, diçka që zyra e Statistikave e shpjegoi me përshtatjen e bizneseve ndaj masave të distancimit social.  Megjithatë, karantina e tretë akoma më e ashpër dhe marrëdhënia e re me Bashkimin Evropian përbëjnë një sfidë tjetër për bizneset.

Të ngjashme