OpEd
Ekonomia 2023-2024
Demokracia
08:30 | 15 Dhjetor 2023

Share:

Nga:Igli Tola

Gjatë këtij viti ekonomia globale dukej sikur sfidoi “ligjësinë gravitacionale të Njutonit”. Megjithëse u aplikuan me vrull të madh politika monetare shtrënguese, ndër më represivitet që nga vitet ’80, rritja ekonomike si në SHBA, por edhe në pjesën tjetër të botës vijoi gjatë vitit 2023. Edhe Europa duket sikur ia doli të shkëputej nga varësia e gazit rus pa kaluar në një katastrofë ekonomike, siç pritej gjerësisht. Inflacioni është duke u moderuar, pa goditur nivelet e papunësisë.

Megjithatë, ekonomia botërore do të mbetet e brishtë në vitin 2024… Inflacioni pritet të jetë në rënie, por përsëri duke qëndruar shumë më lartë se targeti. Politikat ekonomike balancuese/stabilizuese do të vijojnë të jenë të dhimbshme për qytetarët dhe aktorët e tjerë ekonomik. Në qoftë se Amerika mund t’i shmanget skenarit të një recesioni, pjesës tjetër e globit ky skenar ende i orvatet mbi kokë. Shenjat e para të konstatuara së fundmi të rënies së inflacionit shihen si një lehtësim për bankierët qendrorë, por gjithsesi në ekonomitë e mëdha nuk ka gjasa që ky trend rënës të vazhdojë deri në arritjen e objektiv prej 2%, brenda vitit të ardhshëm.

Tregjet e punës duken ende shumë të nxehta dhe rritja e pagave nominale relativisht e lartë. Për më tepër, ekonomitë do të duhet të përballen me efektet e naftës akoma më të shtrenjtë, pikërisht kur u krijua përshtypja sikur goditjet e zinxhirëve të furnizimit të ardhura nga pandemia dhe pushtimi rus i Ukrainës ishin në zhdukje; me zinxhirët e furnizimit të zhbllokuar dhe ekonomitë e ribalancuara, çmimi i një fuçi nafte është rritur me rreth një të tretën që nga vera, falë shkurtimeve në prodhim në Arabinë Saudite dhe vendet e tjera të OPEC-ut. Ku lufta e nisur në Lindjen e Mesme, mes Palestinës e Izraelit pritet të ndikojë më tepër në çmimin e “arit të zi”.

Nafta më e shtrenjtë ngre alarmin për një “valë të dytë” inflacioniste. Normat e larta të interesit mund të jenë duke e çuar ekonominë tashmë të lëkundur të eurozonës në recesion dhe frika e inflacionit dhe nivelet e jashtëzakonshme të borxhit publik nga pothuajse të gjithë qeveritë. Kërcënim për ekonominë botërore është edhe ngadalësimi i rritjes së Kinës, ku nëse Kina do t’ia dalë të rimëkëmbet dhe do t’i shpëtojë “Japonizimit”, kjo do të varet nga shkalla në të cilën qeveria vazhdon të hapë ‘rubinetin’ e stimujve. Që nga përfundimi i zero-COVIDit deri te goditja e teknologjisë – alternativat për një stimul të mirëkalibruar janë të limituara. Kina nga ana tjetër përballet edhe me kufizime fiskale, për shkak të borxhit të qeverive të saj lokale, por edhe tensionet evidente me Amerikën dhe vala globale e proteksionizmit, që prek dukshëm ingranazhet e tregtisë së saj. Numri i masave/rregulloreve proteksioniste në fuqi është rritur nga rreth 9.000, dekadën e kaluar; në rreth 35.000 sot, sipas “Global Trade Alert”.

Megjithëse disa ekonomi të tjera aziatike kanë përfituara nga kjo pozitivë jo e favorshme e Kinës, si India me rritje të shpejtë, tregojnë një lëvizje shqetësuese drejt ekonomisë së atdheut. Vendet e varfra që nuk janë në gjendje të përfitojnë nga rishpërndarja e investimeve, pasi po vuajnë nga borxhi i lartë, por edhe rritja e ulët dhe një dollar i fortë. Gjatë 2024-ës, FMN-ja sfidë do të ketë gjetjen e mënyrave për t’i ofruar lehtësim borxhi për vendet që janë në borxh ndaj Kinës dhe huadhënësve të tjerë, që nuk pajtohen me parimet tradicionale për ristrukturimin e borxhit. Dhe nëse deficitet e Amerikës vazhdojnë të nxisin ekonominë e saj ndërkohë që rritja globale pritet të mos jetë aq pozitive, gjë që dollarin mund ta bëjë edhe më të shtrenjtë, duke përkeqësuar problemet e këtyre vendeve. Deri në fund të vitit 2024 mund të ndihet më pak sikur ekonomia globale të ketë zbritur butësisht dhe më shumë si fillimi i një udhëtimi tjetër të egër.

Të ngjashme