Forca e Sigurisë së Kosovës tha se me kërkesën e autoriteteve shqiptare, një kontingjent i saj i specializuar në kërkim-shpëtimin urban, është dislokuar në Bashkinë Klos, në zonën e quajtur “Qafa e Burrelit”, për të marrë pjesë në operacionin e shpëtimit pas një rrëshqitjeje masive të dheut që ka ndodhur atje.
“Ngjarja ka mbuluar një punonjës që ishte duke punuar në fabrikën e përpunimit të kromit”, njofton FSK.
Ekipet e kërkim-shpëtimit, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, kanë nisur operacionin duke angazhuar personel, pajisje të specializuara dhe ekipe K9, me synimin për realizimin e një ndërhyrjeje të suksesshme.
Ndërkaq, pak më herët, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka thënë se kanë pezulluar operacionin në këtë zonë për shkak të rrezikut për ekipet.