Ulpiana nga Lipjani së fundmi iu rikthye fitoreve. Pas një ecurie prej shumë ndeshjeve pa fitore, skuadra që drejtohet nga Edlir Tetova arriti ta fitojë një ndeshje të vështirë në fundjavë ndaj Drenicës në shtëpi me rezultat 3:1.
Dritë në “fund të tunelit” për Ulpianën. Ecuria prej nëntë ndeshjeve pa fitore te skuadra lipjanase mori fund në fundjavë me fitoren ndaj Drenicës, andaj shpresat tani në skuadër janë shumë të mëdha.
Deri më tani këtë edicion, kur kanë kaluar 22 xhiro, Ulpiana ka tubuar 22 pikë dhe ndodhet në vendin e tetë, në vendin që dërgon në barazh.
Përkundër kësaj ecurie dhe renditjes në “zonën e kuqe”, trajneri Edlir Tetova është shumë optimist për vazhdimin e kampionatit.
Në një bisedë me FrontOnline, trajneri nga Durrësi beson se skuadra e tij ka kapacitet që t’i arrijë objektivat deri në fund të këtij edicioni.
“Është e vërtetë që u bë një mori ndeshjesh pa fituar në kampionat dhe më në fund erdhi fitorja në një moment deçiziv për klubin tonë. Ulpiana ka zhvilluar ndeshje shumë të mira, por pa rezultate, gjë e cila ka ndikuar në aspektin psikologjik te futbollistët”, ka thënë fillimisht Edlir Tetova duke vazhduar:
“Sa i përket mbetjes në Superligë, do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe do të luftojmë njësoj ndaj çdo kundërshtari. Nëse grupi im i futbollistëve do të jetë i plotë, mendoj se kemi kapacitet të bëjmë më të mirën deri në fund për t’i arritur objektivat”.
Ndeshjen e radhës, Ulpiana e zhvillon ndaj pretendentit për titull të kampionit, Gjilanit, por Tetova shpreson në një rezultat pozitiv.
“Ndeshja e radhës ndaj Gjilanit është shumë specifike për ne, kemi një atmosferë të mirë pas fitores së fundmi. Problemi i vetëm është shërimi i futbollistëve të lënduar. Shkojmë drejt Gjilanit për të bërë më të mirën e mundshme dhe pse jo për rezultat pozitiv”, theksoi ai.
Sa i përket rivalëve direkt për mbijetesë, trajneri shqiptar nuk preferoi të përmend emra.
“Mendoj se edhe skuadrat që janë pranë nesh po bëjnë paraqitje të mira. Nuk po specifikoj ndonjë skuadër pasi jam i përqëndruar te skuadra ime gjatë kësaj kohe, por mendoj se ai që gabon më së paku, mbetet në Superligë”, nënvizoi Tetova.
Për fund, Tetova ka folur edhe për aventurën e tij në futbollin kosovar, derisa thotë se nuk ka ndonjë dallim të madh nga Superliga e Shqipërisë.
“Sa i përket menaxhimit të një skuadre në Superligën e Kosovës, nuk është se ka ndonjë dallim të madh nga Superliga e Shqipërisë, gjithsesi mundësia që më është dhënë nga presidenti Abedin Salihu, është e artë për mua dhe shpresoj që t’ja shpërblej deri në fund. Për mua ka rëndësi të jem në fushë dhe të ushtroj profesionin që e adhuroj si profesionist dhe të marrë më të mirën e mundshme deri në vërshëllimën e fundit”, përfundoi Edlir Tetova. /Demokracia.com