Lajme
Edi Rama sot në Londër, takohet me shqiptarët që jetojnë në Britani të Madhe
Demokracia
08:18 | 24 Nëntor 2024

Share:

Kryeministri shqiptar Edi Rama do të vijojë turin e tij të diasporës, me takime me shqiptarët jashtë vendit, nga Londra, ku ka njoftuar se në orën 12:00 do të flasë përpara bashkatdhetarëve, të cilët jetojnë në Britaninë e Madhe.

Lajmin për vijimin e turit dhe për këtë takim e ka dhënë vetë kryeministri disa ditë më parë përmes mediave sociale, ku i ka ftuar shqiptarët e Britanisë të jenë të pranishëm në takimin me të. Një thirrje të radhës ai e ka bërë edhe një ditë përpara takimit, ku ka publikuar edhe disa pamje filmike nga “The Copper Box, Queen Elizabeth Olympic Park”, ku ngjarja do të zhvillohet.

Në vetë moton e Ramës për këtë takim, theksohet se është “Rruga e Shqipërisë 2030”.

Megjithatë, të tilla tubime shihen edhe si një mundësi e kryeministrit për të kërkuar votën e diasporës, duke parë se zgjedhjet e vitit 2025 do të jenë të parat ku shqiptarët, të cilët jetojnë jashtë, do të kenë mundësi të votojnë përmes postës.

Takimin e fundit me diasporën Rama e ka zhvilluar në Selanik më 3 nëntor, ku ka thënë se mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Greqi vijon të mbetet prioritet i Qeverisë, e cila ka angazhuar 50 mësues të rinj gjuhës shqipe.

Kryeministri e nisi takimin me diasporën në Selanik duke prezantuar 8 nga 50 mësuesit e gjuhës shqipe, të cilat do të japin mësim në Selanik.

“Më lejoni në fillim që t’ju prezantoj këtu disa nga ne që siç e premtova mbas takimit të paharrueshëm të Athinës do të na ndihmojnë që tu qëndrojmë më pranë fëmijëve tuaj për mësimin e gjuhës shqipe’”, tha Rama, transmeton albanianpost.

Kryeministri sqaroi se janë 8 nga 50 mësuesit e parë të rinj të gjuhës shqipe me të cilët Ministria e Arsimit do të lidhë një kontratë pune për t’i shërbyer e mësuar gjuhën tonë amtare vogëlushëve shqiptarë të Greqisë.

Ai po ashtu përmendi edhe çështje të tjera, mes të cilave përdorimi i termit “Vorio Epir”, për të cilin tha se “është një term i vdekur me kohë e me vakt”.

“Kush e përdor atë akoma sot kur flet për Jugun e Shqipërisë tregon vetëm dritëshkurtësinë dhe pafuqinë e vet për të jetuar në shekullin e XXI-të”, tha Rama.

Ai njoftoi se, ka marrë shumë kërcënime në adresë të tij nga këto grupe që e përdorin këtë term.

“Ato janë fosile për gjynah që nuk duhet të ushqejnë ndenja brenda nesh, ndjenja jo miqësore”.

Por kryeministri theksoi se nuk duhet harruar fakti që Greqia është një partner i pazëvendësueshëm.

“Ndërsa për ju, shqiptarët e Greqisë, Greqia është shtëpia juaj”.

Të ngjashme