Lajme
Edi Rama rrit pagat nga 1 korriku | Kurtit i dukej rritja e pagave kundër popullit
Demokracia
16:22 | 27 Qershor 2024

Share:

Qeveria e Shqipërisë do t’i rrisë pagat e punëtorëve të administratës, mësimdhënësve, ushtarëve e kategorive të tjera. 

Përderisa Edi Rama po i rritë pagat e shqiptarëve, shqiptarët e tjerë nga ana jonë e kufirit, as nuk e presin një gjë të tillë, shkruan Demokracia.com.

Madje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2022, në Kuvend thoshte se parulla e VV-së nuk ka qenë rritje e pagave, por punësim dhe drejtësi.

“Parulla jonë me të cilën kemi fituar në zgjedhje, ka qenë punësim dhe drejtësi e jo rritje e pagave, ku ju keni garuar me rritje të pagave dhe keni humbur”, kishte thënë Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha atëherë se rritja e pagave do të ishte kundër popullit dhe se parullën që kanë premtuar partitë që kanë qenë në pushtet, nuk mund t’ua realizojë tani ai.

“Do të ishte kundër popullit e kundër fitores që kemi realizuar. Andaj, parullën tuaj s’mund t’ua realizoj unë. Ajo parullë ka humbë më 14 shkurt 2021”, kishte shtuar Kurti.

Përderisa qytetarët e Kosovës po përballen me ikje masive nga vendi, ekonominë e rënë, çmimet stratosferike, janë të shumtë sektorët që do të paguhen më mirë matanë kufirit.

Ministri i Financave, Ervin Mete, në përfundim të mbledhjes së qeverisë tha se rritja e pagës për administratën hyn në fuqi në 1 korrik dhe përfitojnë 135 mijë punonjës.

“Sot në Këshillin e Ministrave u miratuan vendime specifike. Paga mesatare në sektorin publik arrin në 105 mijë lekë. Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit 2024, duke filluar nga 1 korriku”, tha Mete.

Nga 1 korriku do të rriten pagat për mësuesit, por edhe punonjësit e shërbimit psikosocial në shkolla.

Ministrja Manastirliu ka sqaruar sa do të jetë rritja në bazë të kualifikimeve.

Kategoria që përfiton më shumë nga kjo rritje janë mësuesët e ciklit të ulët.

“Dua të ndaj me ju, por mbi të gjitha me mësuesit, një lajm të mirë sa i përket rritjes historike të pagave për mësuesit, e cila fillon nga një korriku. Një rritje e pagave që do përfshijë 30 mijë punonjës në sistemin tonë arsimor, duke qenë kjo rritje më madhe e pagave. Paga mesatare e mësuesve rritet me 18 mijë lekë të reja, duke e çuar pagën mesatare në 950 euro.

Nëse do të kalonim në kategori specifike, paga mesatare në arsimin e mesëm dhe të lartë, që ka nivelin e kualifikimit dhe vjetërsinë mbi 15 vite punë, do të shkojë nga 79,800 në 98,500 lekë. Paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm të ulët me mbi 15 vite vjetërsi shkon nga 75,800 në 96,000 lekë. Rritje më të konsiderueshme do ta kenë edhe mësuesit e ciklit fillor, ku paga mesatare e mësuesit me eksperiencë mbi 15 vite shkon nga 72,400 në 95,200 lekë.

Pagat përfshijnë mësuesit në sistemin tonë dhe punonjësit e shërbimit psikosocial dhe punonjësit e sigurisë në shkolla. Për punonjësit e shërbimit psikosocial, paga mesatare shkon në 910 euro, ndërsa paga mesatare e punonjësve që lidhen me sigurinë në shkolla shkon në 800 euro.

Përmirësime janë bërë edhe sa i përket nivelit të pagesave për rritjen e kualifikimit të mësuesve, ku do të kemi një dyfishim të pagesës sa i përket shpërblimit për kualifikim për mësuesit e nivelit që lidhen me dy kategoritë e para dhe sa i përket mësuesit mjeshtër do të kemi një rritje 50% të masës së shpërblimit”, tha Manastirliu.

Rrogat e Forcave të Armatosura do të rriten nga 1 korriku. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ai tha se rrogat e FA-ve do të pësojnë rritje çdo vit.

Edhe zjarrfikësit janë përfitues nga ky vendim i qeverisë shqiptare.

“Për ushtarin e katërt, paga do të shkojë në 71 mijë lekë, pra një rritje prej 290 mijë lekësh. Të gjitha pagat që do të lexoj, iu shtohen dhe trajtimi me ushqim. Këtë duhet të dëgjojnë të gjithë të rinjtë, pasi e nisin me një pagesë 820 mijë lekë në dorë. Politika e këtij viti, e këtij vendimi, është nga 7 deri në 22%. Ata që janë asistentë zjarri, do iu shkojë rroga në 60 mijë lekë. Për zjarrfikësit, paga iu shkon në 65 mijë. Kryezjarrfikës shkon paga 70 mijë”, tha Peleshi. /Demokracia.com/

Të ngjashme