Lajme
Edhe Supremja vërteton dënimin prej 22 vite burgim ndaj të dënuarit për vrasjen e 2019-ës në Prishtinë
Demokracia
16:44 | 06 Dhjetor 2023

Share:

Gjykata Supreme e Kosovës, më 23 nëntor 2023, ka marrë vendim me të cilin ka lënë fuqi vendimin e Gjykatës Themelore dhe atë të Apelit, me të cilin Besnik Shkodra ishte dënuar me 22 vite burgim për vrasjen e A.J në shkurt të 2019-ës në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 mars 2023, kishte shpallur aktgjykim me të cilin Shkodra, ishte dënuar me dënim unik prej 22 vitesh burgim, ndërsa babai i tij Baki Shkodriqi ishte liruar nga për shtytje në vrasje.

E këtë vendim, më 6 korrik 2023, e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtësi i të dënuarit Shkodra, avokati Skender Musa.

Avokati Musa, kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë e kishte ushtruar në Supreme për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penale.

Përmes kësaj kërkesë, ai kishte propozuar që aktgjykimet e lartcekura të ndryshohen ashtu që vepra penale nga “Vrasje” të ricilësohet në “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” apo të aprovohet instituti “Mbrojtja e nevojshme”, ose çështja të kthehet në rigjykim.

Mirëpo, Gjykata Supreme ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë dhe gjykatës së shkallës së dytë, nuk janë të përfshira në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe as me shkelje të ligjit penale.

“Si aktgjykimi i shkallës së parë, ashtu edhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë përmbajnë të gjitha elementet që kërkohen sipas dispozitave përkatëse ligjore, si në pjesën e dispozitivit, ashtu edhe në pjesën e arsyetimit, andaj pretendimet e mbrojtjes në këtë drejtim nuk qëndrojnë”, thuhet në vendimin e Supremes.

Tutje, Gjykata Supreme ka konstatuar se nga arsyetimi i aktgjykimit të shkallës së parë shihet se në këtë rast janë vlerësuar dhe analizuar në mënyrën e duhur të gjitha provat që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Sipas vlerësimit të Supremes, me aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta nuk është shkelur as ligji penal në dëm të të dënuarit Shkodra, sepse veprimet e të njëjtit të përshkruara më hollësisht në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë përbëjnë të gjitha elementet subjektive dhe objektive të figurës së veprës penale “Vrasja”.

“…si dhe nuk ekziston ndonjë rrethanë që do të përjashtonte përgjegjësinë penale apo ndjekjen penale të të dënuarit”, thuhet tutje në vendimin e Supremes.

Po ashtu, në këtë vendim thuhet se nga të gjitha rrethanat e rastit konkret, për shkruar në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë rezulton përtej çdo dyshimi të bazuar mirë se dashja e të dënuarit Shkodra ishte që ta privonte nga jeta tani të ndjerin A.J., për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, gjë të cilën edhe ja ka arritur.

Sipas Supremes, në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë drejtë është konstatuar se në këtë rast nuk bëhet fjalë për veprën penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, dhe as për institutin “Mbrojtja e nevojshme”, me një arsye të thjeshtë se ditën kritike nuk ka pasur ndonjë sulm, keqtrajtim apo fyerje të rëndë nga ana e të ndjerit A.J në drejtim të të dënuarit Shkodra.

Gjithashtu, Supremja ka konstatuar se në këtë çështje penale gjykata e shkallës në këtë ndaj Shkodrës ka shqiptuar dënime me burgim brenda kufijve të parashikuar për veprat penale për të cilat i njëjti edhe është shpallur fajtor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohej se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit A.J. i njëjti me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë në drejtim të tij, ku edhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohej se me dashje e ka shtyrë Shkodrën, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes.

Të ngjashme