Lajme
Edhe sot në Pallatin e Drejtësisë po protestohet për kushtet jo të mira të punës në këtë objekt
Demokracia
15:45 | 26 Gusht 2022

Share:

Edhe sot stafi mbështetës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Gjykatën e Apelit dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë po protestojnë për temperaturat e larta dhe mosfunksionimin e sistemit të klimatizimit brenda këtij objekti.

Këtë për “Betimi për Drejtësi” e kanë bërë të ditur, kryetari i Këshillit Grevist në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Burim Neziraj, kryetari i Shoqatës Sindikale së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi dhe zëvendëskryetari i Sindikatës së Apelit, Adem Tahiri.

Neziraj e Rrustemi thanë se deri tani nuk kanë ndonjë përgjigje e as ndonjë informacion nga institucionet përkatëse lidhur me kërkesat e tyre.

Ata po kërkojnë që të përmirësohet gjendja me sistemin e klimatizimit brenda objektit të Pallatit të Drejtësisë.

Sipas stafit protestues, shumë punonjës janë duke u përballur me probleme shëndetësore, siç është alivanosja dhe hipërtensioni, për shkak të gjendjes së objektit ku punojnë.

Problemet me të cilat ballafaqohet stafi i Pallatit të Drejtësisë, në letrën drejtuar institucioneve të lartpërmendura më 11 gusht 2022, janë renditur në gjashtë pika:

Klima jofunksionale,

Mungesa e ujit të pijes,

Mungesa e ujit në tualete,

Mungesa e ajrit pasi nuk hapet asnjë dritare,

Ashensorët jo të servisuar në rregull,

Erëra të ndryshme dhe të dëmshme, etj.

Të ngjashme