Shtetas italianë, kroatë, bullgarë, sllovenë por dhe shqiptarë janë vënë në urdhër ndalimi gjatë një prej operacioneve më të rëndësishme të ekzekutuara pak orë më parë nga Antimafia e Antidroga Italiane në bashkëpunim me Policinë Kolumbiane, Antidrogën Spanjolle, Dea amerikane, e që çoi në shkatërrimin e organizate kriminale e akuzuar për trafikimin e 4.3 tonë kokainë mes Kolumbisë e Europës.
Konsiderohet një nga tre operacionet antidrogë më të mëdha të ekzekutuara deri më sot në Europë, e që goditi kartelën kolumbiane Klan del Golfo e grupe traikantësh që menaxhonin në Europë tregtinë e kokainës së ardhur nga Kolumbia.
Operacioni i koduar “Geppo” u realizua falë punë së oficerëve të antimafias italiane të cilët për një vit rresht ishin inflitruar si trafikantë.
Dosja hetimore prej 5000 faqesh përmban dhe fakte që përfshijnë Shqipërinë e trafikantë shqiptarë në këtë mega trafik droge që do të siguronte një fitim mbi 240 milionë euro, ndërsa ishin shpenzuar 96 milionë për të blerë 4.3 tonë kokainë e pastër.
Ora News mëson se janë katër shqiptarë me banim në rajonin Veneto mes 38 personave të vënë nën urdhër arresti nga operacioni Geppo, por që për momentin figurojnë të jenë në Shqipëri.
Si nisi operacioni Geppo?
Autoritetet italiane të Antimafias kanë zbardhur disa detaje nga operacioni “Geppo” i cili nisi pas snjalizimit të faktit se kartela kolumbiane “Klan del Golfo” po kërkonte në Itali një vend të sigurt magazinimi të kokainës së transportuar drejt Europës.
Agjentët e inflitruar të antimafias italianë ja arritën të bindinin brokerat e trafikantët kolumbianë se qyteti i Triestes ishte një vend mjaft i sigurtë për aksionet e tyre e u ofruan si trafikantë palë e tretë për shpërndarjen e drogës në Europë.
Agjentët e inflitruar sajuan hapjen e magazinave e kompanive fiktive për të mbuluar trafikimin e kokainës, raporton RTV Ora e Ora News.
Ndërsa për të vënë në vështirësi trafikantët që menaxhonin tregun e kokainës në Europë, dhanë lajme false siç ishte sekuestrimi i 600 kg kokainë në Monterotondo apo 60 kg të tjera në Veneto.
Të gjitha këto ndihmuan për zbardhjen e rrjetit të këtij mega biznesi kokaine në Europë.
“Kemi dhe gënjyer dhe mohuar duke krijuar fake neës” ka deklaruar kryeprokurori i Triestes Antonio De Nicolo. “E bëmë me qëllimin e goditjes më të fortë të botës së narkotrafikut. Qenë gënjeshtra me qëllim të mirë e është një nga operacionet më të fuqishme antidrogë që është zhvilluar deri më sot në Itali”, thotë ai.
4.3 tonë kokainë u blenë tërësisht me para e mbërritën në Europë përmes anijeve tregtare ndërsa u sekuestruan rreth 2 milionë euro cash.
Shpërndarja e trafikimi i kokainës menaxhohej përmes grupeve të pozicionuar në rajonet Veneto.