Hysni Gërguri ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) në Vushtrri, pas debaklit që kjo parti pësoi në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë.
Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se dorëhiqet edhe nga pozita e asamblistit në Kuvendin Komunal në Vushtrri, shkruan Demokracia.com.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 13.07 për qind të votave sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, duke e renditur atë në vendin e tretë pas Vetëvendosjes, fituese e zgjedhjeve dhe PDK-së, duke bërë kështu që kryetari i kësaj partie Isa Mustafa të jep dorëheqje.
Postimi i plotë, pa ndërhyrje:
Për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhje nacionale në Komunën tonë (edhe për kundër faktit që më tepër se 3 vjet e kemi pushtetin lokal),e ndjeva si obligim moral të jap dorëheqje nga Kryetari i Degës së LDK-së në Vushtrri (të cilën e paraqita para Kryesisë së Degës).
Unë e kam marrë udhëheqjen e Degës në gjendje shumë të rëndë në vitin 2010, me shumë grupacione, pas thyerjes së Degës në vitin 2004 dhe humbjes “në tavolinë “, te pushtetit komunal edhe pse LDK e ka pasur të fituar deri në vitin 2007, si dhe pas thyerjes së LDK-së në nivelin qendror në vitin 2006.
Bashkërisht me strukturat e mirëfillta kemi arritur që ta stabilizojmë Degën, duke ju dhënë hapësirë të gjithëve, në veçanti të rinjve dhe femrës dhe si rezultat i kësaj i fituam zgjedhjet komunale në vitin 2017.
Pa modesti vlen të theksoj kontributin financiar për Degën të cilën gjë e dinë qytetarët e Vushtrrisë dhe niveli qendror i LDK- së, kontributin financiar për sportin e Vushtrrisë, kontributin 40-vjeçar si mjek dhe si specialist-radiolog, kontributin në sindikatën e pavarur në Shtëpinë e shëndetit në Vushtrri nga viti 1990, pastaj si drejtor komunal për Shëndetësi në pushtetin e atëhershëm paralel, si dhe kontributin tim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998-1999.
Falënderoj me respekt e nderim të gjithë përkrahësit e mi, jo vetëm në këto zgjedhje që më mbështetën me votën e tyre, e cila për mua do të mbetet gjithmonë si një vlerësim i shenjët.
Falënderoj përzemërsisht të gjithë aktivistët dhe simpatizantët e devotshëm dhe besnikë të LDK-së, për përkrahjen e sinqertë dhe pa kushte, ndërsa për ata që bënë hile tash e 11 vjet sa isha kryetar Dege, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre.
Jap dorëheqje edhe nga asamblisti i Kuvendit Komunal në Vushtrri, për ta dëshmuar edhe njëherë, që në funksione të LDK-së, nuk kam qëndruar për interesa të ngushta personale, sepse interesi për LDK-në dhe Kosovën, gjithmonë për mua ka qenë dhe do të mbetet mbi interesin personal.
Njoftoj të gjitha strukturat qendrore, ato lokale dhe miqtë e mi se unë tërë jetën time do t’i qëndroj besnik LDK-së.
Me respekt nga Dr. Hysni Gërguri. /Demokracia.com/