Avokati i Grupit Parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu, ka reaguar pas vendimin të Kushtetueses për Zyrtarët Publikë.
Ai ka bërë me dije se Gjykata Kushtetuese ka rrezuar përpjekjet e pushtetit.
Fetahu, i cili e ka përpiluar lëndën për të dërguar në Kushtetuese, ka treguar se gjykata ka pranuar shumicën e dispozitave që kanë kontestuar.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kumtoi njoftimin se Ligji Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë, i propozuar nga kjo qeveri dhe i miratuar nga shumica parlamentare NUK e kaloi testin e kushtetutshmërisë. Këtë ligj, Grupi Parlamentar i PDK-së, nuk e ka kontestuar në tërësi por vetëm pjesërisht, prandaj shumica e dispozitave konkrete të cilat janë kontestuar, si të tilla, janë konfirmuar anti-kushtetuese”, ka shkruar Fetahu në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka treguar se Kushtetuesja ka rrëzuar përpjekjet e pushtetit për të vënë kontroll mbi administratën shtetërore duke centralizuar vendimmarrjen vetëm në duar të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Për të përligjur kriterin e “përshtatmërisë” (moral-politike) për t’u punësuar në administratën shtetërore; Për të privuar zyrtarët publikë nga e drejta e garantuar kushtetuese për ankesë në rast të ri-sistemimit; Për të larguar masivisht nga shërbimi publik zyrtarët të cilët nuk rizgjedhen në pozitat e ulta dhe të mesme drejtuese; Për të krijuar “listën e pritjes” me zyrtarët e përgjegjshëm e patriot të cilët zbatojnë ligjin dhe nuk i nënshtohen e servilosen pushtetit; Për të krijuar “bazën ligjore”, për të bërë largime masive nga administrata shtetërore të zyrtarëve të “papërshtatshëm” të këtij pushteti, të cilëve pas 9 muajve në “listën e pritjes”, do t’ju ndërpritej marrëdhënia e punës; Për t’i hapur derën partizimit e politizimit të administratës shtetërore, me militant partiak e politik, e me familjarë pushtetarësh”, ka shkruar ai.