Lajme
Edhe në rigjykim, lirohet nga akuzat për korrupsion roja i pyllit në Mitrovicë
Demokracia
12:15 | 04 Korrik 2023
Ilustrim

Share:

Gjykata Themelore në Mitrovicë edhe në rigjykim e ka liruar nga akuzat rojën e pyllit Ismet Tahiri, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Aktgjykimi është shpallur më 27 qershor 2023 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Beqiri ka njoftuar se nuk është vërtetuar se i akuzuari Tahiri i ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet.

Ndryshe, shpenzimet procedurale kanë rënë në buxhetin e gjykatës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë më 9 tetor 2020 në mungesë të provave kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Ismet Tahiri.

Por, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se ky aktgjykim përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe nuk është përpiluar konform dispozitave të KPPK-së, dhe duke vepruar edhe sipas detyrës zyrtare, ka vendosur anulimin e të njëjtit.

Në vendim thuhet se gjykata e shkallës së parë ka dështuar të paraqesë në mënyrë të qartë dhe të plotë arsye të mjaftueshme mbi vlerësimin e dëshmive të dëshmitarëve dhe provave tjera.

Ndryshe, sipas të dhënave nga shkresat e lëndës, ky rast është kthyer në rigjykim në prill të 2021-ës, ndërsa nga gjyqtari paraprak i lëndës, Radosllav Markoviq, nuk është caktuar seanca e rigjykimit, deri më 12 prill 2023, pas ngarkimit të gjyqtarit Rrahman Beqiri me këtë lëndë.

Ndërsa, i akuzuar në këtë rast ishte edhe Sylë Fejza, për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, mirëpo ndaj të njëjtit ishte veçuar procedura pasi e kishte pranuar fajësinë në seancën e mbajtur më 7 qershor 2019.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 29 nëntor 2018, Ismet Tahiri, akuzohej se në periudhën kohore prill-maj 2016, në fshatin Zabërxhë të Komunës së Mitrovicës, në cilësinë e personit zyrtar, në rastin konkret pylltar, ka pranuar përfitim për vete nga Nimon Fejza.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Tahiri, duke mos vepruar në pajtim me detyrën e tij, ka lejuar që personi Nimon Fejza, pa leje përkatëse të presë drunj në vendin e quajtur te “Kërshat e këqij” dhe të njëjtat t’i transportojë për t’i shitur në Mitrovicë, ashtu që për çdo transport nga Fejza, për katër raste ka pranuar shumën prej 50 euro, e që gjithsej shuma e parave të kërkuara dhe të pranuara arrijnë vlerën 200 euro.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ismet Tahiri po akuzohet se në kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij, pavarësisht se në cilësinë e pylltarit ka pasur për obligim që të mbrojë pyllin shtetëror nën mbikëqyrjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Tahiri nga veprimet e tij, i ka sjellë dobi Nimon Fejzës, ashtu që në katër raste drunjtë e prera i ka bartur me kamion dhe i ka shitur më pas në Mitrovicë, në shumë prej 500 euro për secilin, duke i shkaktuar dëm Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Me këtë, Ismet Tahiri, ngarkohej për kryerjen e veprave penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428, par.1 dhe veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pika e tretë e dispozitivit të aktakuzës, i referohet të akuzuarit tjetër në këtë rast, Sylë Fejza, ku këtë të fundit e ngarkon me veprën penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Fejza, më 8 qershor 2016, u ka bllokuar rrugën personave zyrtarë dhe atë pylltarëve Ismet Tahiri dhe Ramadan Salihu, të cilët thuhet se ishin duke kryer detyrat e tyre zyrtare, ashtu që përderisa ishin duke lëvizur me automjetin zyrtar, i akuzuari Fejza, e kanos pylltarin Ismet Tahiri, duke e sharë dhe duke iu vërsulur, e që siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit detyrohen që me automjetin zyrtar të futen në një rrugë anësore dhe të rikthehen përsëri në rrugën kryesore.

Me këtë, Sylë Fejza thuhet se ka kryer veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme