Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, sikurse me herët edhe ministrja Haxhiu, ka sjellë një rrëfim “imagjinativ” propagandues, por këtë radhë me një parukiere.
Të gjendur në thumb të kritikave të vazhdueshme e pa ndonjë rezultat në qeverisje, njerëzit e pushtetit kanë nisur të “imagjinojnë” dhe t’u sjellin ndjekësve të tyre rrëfime politike si mjete propagande.
“Unë fle rahat, sepse nuk kam frikë që kur të zgjohem do të kuptoj se Kryeministri ynë ka nënshkruar ndonjë marrëveshje të dëmshme për vendin”, ishin fjalët patetike të deputetes Kollçaku, gjoja ia ka thënë asaj një parukiere.
“U befasova për të mirë, kur e dëgjova këtë nga një parukiere në sallonin që e frekuentoj.
Vetëdija qytetare fatmirësisht është shumë më e lartë, në raport me atë që servohet shpesh nga studiot televizive me tentativë të kotë në deformimin e opinionit publik”, vazhdon me propagandën e saj Kollçaku.
Jo shumë javë më parë, një rrëfim imagjinues e kishte sjellë edhe ministrja Albulena Haxhiu, e cila duke iu referuar një prindi kishte thënë se ai kishte shkuar në ambientet e ministrisë dhe e kishte njoftuar sesi vajza e tij 14 vjeçare është tentuar të dhunohet në dhjetor të vitit 2021.
Pasi që me Haxhiun ishte tallur një ish-bashkëpartiak i saj, që jetonte në diasporë, ajo kishte paralajmëruar padi ndaj tij, porse jo edhe kallëzim penal lidhur me “rastin” që i ishte rrëfyer.
Të gjendur përballë kritikave për mospunën e qeverisë Kurti, njerëzit e LVV-së duket se rrëfimet imagjinuese po mendojnë se iu kryejnë punë me opinionin publik. /Demokracia.com/