Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka ngritur shqetësime në lidhje me procedurat institucionale të dorëzimit të mandatit nga ana e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë që janë zgjedhur deputetë.
Në Debat Plus, Zemaj ka thënë se gjatë mbledhjes së Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, ai dhe kolegët nga partitë tjera politike kanë kërkuar të kenë qasje në të gjithë dokumentacionin përkatës, por kanë konstatuar se dosja nuk është e plotë dhe se ka mospërputhje procedurale.
Sipas tij, në fund është paraqitur një letër e dërguar nga kryeministri, por ajo nuk përmban deklaratë të qartë të dorëheqjes nga posti ekzekutiv.
“Në momentin kur kemi hyrë, unë dhe kolegët e tjerë kemi kërkuar të gjithë dokumentacionin, se e kam parë që dokumentacioni nuk është i plot, po ashtu edhe kolegët tjerë nga partitë politike. Është dal që ekziston një letër në momentin e fundit që është dërguar nga kryeministër. Letër që do të duhej dërguar në KQZ. Dhe atje të fillonte procedurat e dorëzimit të mandatit si kryeministër ose çdo ministër që është zgjedh deputet. Aty është paraqitur një letër, edhe aty nuk evidentohet saktë se a ka dorëheqje. Dhe çka vazhdon nëse ky sot e jep betimin edhe mbetet si deputet në qeveri në detyrë.
Prapë ka tentuar edhe nëse e bën betimin si deputet të vazhdoj si kryeministër ose tjerët si ministra. Kjo është ajo që e kemi kundërshtuar, ka bazë ligjore, ka bazë kushtetuese”, ka thënë Zemaj në lidhje direkte në Debat Plus.