Lajme
Edhe Holanda, Britania e Norvegjia i bëjnë thirrje shtetasve të tyre të largohen menjëherë nga Ukraina
Demokracia
22:26 | 11 Shkurt 2022

Share:

Shtetasve hollandezë, britanikë dhe norvegjezë u është kërkuar nga vendet përkatëse të largohen menjëherë nga Ukraina.

Qeveria holandeze ka zhvendosur trupën e saj diplomatike nga Kievi në Lviv për arsye sigurie dhe këshilloi qytetarët që të largohen nga Ukraina sa më shpejt të jetë e mundur.

Zyra e Jashtme britanike thotë se “shtetasit britanikë në Ukrainë duhet të largohen tani ndërkohë që ka ende mjete në dispozicion për të udhëtuar.” Ambasada britanike është ende e hapur, megjithatë nuk do të jetë në gjendje të ofrojë asistencë konsullore personalisht.

“Shtetasit britanikë nuk duhet të presin mbështetje të shtuar konsullore për evakuim në këto rrethana”, thuhet në një njoftim nga Ministria e Jashtme.

Qeveria e Norvegjisë ka dhënë të njëjtën këshillë për shtetasit e saj, duke u bërë thirrje të gjithë norvegjezëve që të largohen menjëherë nga Ukraina “për shkak të situatës serioze dhe të paparashikueshme” dhe të qëndrojnë të paktën 250 km nga kufiri ukrainas/rus. Ministria këshillon gjithashtu kundër çdo udhëtimi në Bjellorusi, përveç kryeqytetit Minsk.

Një tjetër vend që u ka kërkuar të gjithë shtetasve që të evakuohen nga Ukraina dhe të shmangin udhëtimet “pavarësisht qëllimeve” është Japonia.

Ndërkohë edhe presidenti amerikan Joe Biden u ka bërë thirrje më herët qytetarëve amerikanë që të largohen nga vendi, duke paralajmëruar se “gjërat mund të çmenden shpejt”./Tirana Post/

Të ngjashme