Lajme
Edhe Haradinajt i humbi “njohja” që e kishte parë në planin franko-gjerman, i del sërish në mbrojtje Kurtit
Demokracia
14:45 | 09 Shkurt 2023

Share:

Kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, i është ngatërruar sërish roli opozitar. Haradinaj, i cili më herët duke “flirtuar” politikisht me Kurtin ishte vënë në përkrahje të tij, duke thënë se “plani franko-gjerman e ka njohjen brenda” dhe se ai gjoja e kishte parë, ka folur sot sërish për këtë çështje.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Haradinaj e ka mbrojtur kryeministrin Albin Kurti, pasi që u bë e ditur se plani franko-gjerman nuk e përmban njohjen reciproke.

Haradinaj, i cili më herët kishte thënë se e ka pare njohjen brenda draft-dokumentit në zyrën e Kurtit, sot i ka akuzuar deputetët e opozitës (PDK, LDK) se njohjen nuk e kërkuan as nga Hashim Thaçi, duke harruar se njohja ka qenë vazhdimisht në qendër të kërkesës së amerikanëve dhe asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje, por që nuk po përmendët më prej kur Kurti filloi ta drejtojë dialogun.

“Nuk besoj që duhet me zënë në faj Kurtin për Asociacionin, nuk e ka bërë ky, ai e ka trashëguar. Nuk e shoh që duhet akuzuar atë, sepse e kemi trashëguar. E dyta, çka po duam ne të tjerët, po duam njohjen e ndërsjellë më Serbinë. Si e nxjerrim? Ju lutem të bëhemi të sinqertë”, ka thënë Haradinaj.

Kjo deklaratë e Haradinajt vjen pas përpjekjeve fillestare të Qeverisë Kurti për ta manipuluar publikun, kinse marrëveshja e përmbante edhe njohjen nga Serbia, të cilën Haradinaj kishte thënë se e ka parë.

Gjatë seancës së Kuvendit, Kurti ka thënë se nuk do të këtë marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa njohje reciproke.

“Emisarët franko-gjerman nuk na kanë sjell një dokument të stilit merre ose lerre, andaj nuk na kanë sjell propozim për marrëveshje finale. Ata kanë sjell propozim për një marrëveshje bazë. Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë, as Republika e Kosovës nuk e njeh atë të Serbisë. Ne sot kemi mosnjohje reciproke. Ajo çka na duhet është një marrëveshje finale pa njohje në qendër nuk mund të këtë”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar se propozimi evropian nuk flet për njohje de jure. /Demokracia.com/

Të ngjashme