Lajme
Edhe Gjermania e zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit
Demokracia
10:39 | 07 Prill 2022

Share:

Pas shefit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde është shprehur i zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. 

Këshilli Prokurorial i Kosovës, dje ka votuar për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn.

Lidhur me këtë votim të KPK-së, Rohde përmes një reagimi në Twitter ka thënë se kjo është vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës.

“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, ka shkruar ai.

Ndërsa shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog u shpreh i zhgënjyer dhe i habitur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.

Përmes një reagimi, të mërkurën, ai tha se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor, e që sipas tij KPK i ka shpërfillur këto parime.

Të mërkurën tri organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar presidentes të mos e dekretoj Isufajn për kryeprokuror të vendit.

Në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ky koalicion ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri./Demokracia.com/ 

Të ngjashme