Lajme
Edhe dy muaj paraburgim ndaj policit të dyshuar për vrasjen e kolegut në Zllatar
Demokracia
10:26 | 23 Mars 2022

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj të dyshuarit F.M., lidhur me rastin e vrasjes së zyrtarit policor në Zllatar.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar gjyqtari i procedurës paraprake, Agim Kuçi.

Gjykatësi Kuçi ka njoftuar se ndaj të tjerëve është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 shkurt 2022 kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj F.M., ndërsa për pesë të tjerët ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Ndryshe, më 18 shkurt 2022 një zyrtar policor ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, teksa ishte në një ndejë bashkë me 15 zyrtarë policorë.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) kishte njoftuar se lidhur me rastin ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë, prej tyre njëri i dyshuar për veprën penale “Vrasje”, ndërsa pesë të tjerët për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ndryshe, përmes raportit 24 orësh, Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se të gjithë zyrtarët policorë që ishin pjesë në vendin e incidentit, ishin suspenduar nga puna. /BetimipërDrejtësi/

Të ngjashme