Lajme
Edhe AAK-ja e pranon ftesën e Kurtit për takim rreth Vettingut
Demokracia
15:59 | 29 Qershor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  i ka ftuar në takim krerët e partive opozitare kosovare për të diskutuar për procesin e vettingut.

Ftesa e Kurtit u pranua nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës.

Mëngjesin e sotëm ai u takua me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, ndërsa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e refuzoi takimin, shkruan Demokracia.com.

Abdixhiku e refuzon ftesën e Kurtit për diskutim rreth vettingut – “LDK e jep kontributin në Kuvend”

Ftesë për takim mori edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, mirëpo ende nuk dihet nëse do të marrë pjesë ai apo dikush tjetër nga partia.

Në një përgjigje të shkurtër për Demokracia.com, zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka, e konfirmoi festën për takim.

Ai nuk tregoi nëse ky përfaqësues është vetë Haradinaj apo dikush tjetër.

“Nesër, Aleanca e dërgon një përfaqësues, në takim me kryeministrin Kurti”, tha Blaka.

Ndryshe prej AAK-së, nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se nuk do të takohen me Kurtin, pasi sipas tyre, ata kontributin e tyre do ta japin në Kuvend.

Deri tani, i vetmi që ka mbajtur takim me Kurtin është kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Në një konferencë për media, Krasniqi tha se procesi i vettingut duhet të zhvillohet përmes kuvendit.

Zbulohet arsyeja e takimit mes Albin Kurtit e Memli Krasniqit

Krasniqi u shpreh se PDK mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme dhe që bëhet ne koordinim me partnerët strategjikë, shoqërinë civile dhe palët tjera të interesit.

“Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vettingut në Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias.

Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme”, ka thënë Krasniqi.

Ftesën për partitë opozitare e bëri të ditur Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrisë. Sipas tyre, këto takime organizohen me qëllim të njoftimit lidhur me këtë proces, koordinimit të përbashkët dhe përfshirjes së gjithë akterëve.

“Me qëllim të njoftimit të mëtejmë lidhur me këtë proces, koordinimit të përbashkët dhe përfshirjes së gjithë akterëve, Kryeministri Kurti u ka bërë ftesë krerëve të partive parlamentare të opozitës: Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë./Demokracia.com/

Të ngjashme