Lajme
Ecja 100 kilometërshe në kujtim të burrave dhe djemve të vrarë në Bosnjë
Demokracia
19:59 | 08 Korrik 2023

Share:

Marshi i paqes ka nisur nëpër pyjet në lindje të Bosnjës në kujtim të masakrës së Srebrenicës në vitin 1995, gjenocidin e vetëm të pranuar në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Marshi prej 100 kilometrave që mbahet çdo vit, realizohet në rrugën që dikur e morën burra e djem myslimanë në përpjekje për të ikur nga Srebrenica e rrethuar nga forcat serbe të Bosnjës.

Më shumë se 4 mijë persona kanë marrë pjesë në marshin e sivjetmë. Shumica prej tyre familjarë të viktimave të masakrës së Srebrenicës.

“Marrë pjesë në këtë marsh për të ngjallur kujtimet që janë në kokën time, kujtime për vëllain dhe shokët, që kanë mbetur këtu. Është obligim i yni që ta ndjekim këtë shteg dhe që kujtimet të mos harrohen”, është shprehur i mbijetuari i masakrës së Srebrenicës, Reshid Dervisheviq.

Marshi është mbajtur në periudhën e tensioneve etnike në Bosnjë që kanë nisur nga serbët, të cilët po vazhdojnë përpjekjet për t’u ndarë nga Bosnja.

“Është e vështirë të qëndrosh këtu dhe të flasësh pa emocione. Emocionet janë të përziera kur vini këtu, kur kujtoni të gjithë të vrarët që ishin të shtrirë këtu në këtë vend në vitin 1995 dhe krahasoni situatën tani. Jam këtu për të nderuar njerëzit që humbën jetët e tyre duke ecur në këto shtigje”, ka thënë një tjetër i mbijetuar i Srebrenicës.

Në korrikun e vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra boshnjak u ndanë prej grave, nënave dhe motrave nga forcat serbe. Ata u ndoqën nëpër pyjet përreth Srebrenicës dhe u vranë.

Forcat e serbëve të Bosnjës hodhën trupat e të vrarëve në disa varreza masive përreth Srebrenicës në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të luftës.

Të ngjashme