Një shtetase tjetër është arrestuar për vrasjen në Kolanec të 26-vjeçarit Martin Çeço, në 18 qershor të këtij viti.
Burime policore për A2 CNN konfirmojnë se bëhet fjalë për Martina Pajollarin, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e Martinit.
Policia ka arritur të sigurojë provat e mjaftueshme që vërtetojnë se kjo shtetase ka bashkëpunuar me 3 autorët e arrestuar më herët, Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj që aktualisht ndodhen në burgun e Drenovës.
Martina Pajollari dyshohet se ka qenë vajza e lidhur me viktimën, por edhe në një lidhje të dyfishtë me Valter Mollajn, i cili sipas prokurorisë është një nga autorët kryesorë të vrasjes.
Tre autorët në bashkëpunim me njëri-tjetrin e kanë dhunuar e më pas hedhur trupin e pajetë në rezervuarin e Kolanecit në Maliq, trup i cili u gjet nga banorët e zonës disa ditë pasi familja e viktimës e denoncoi të humbur.
Lidhur me arrestimin e Martina Pajollarit pritet komunikata zyrtare e policisë së Korçës për të hedhur kështu më shumë dritë rreth përfshirjes së saj në këtë vrasje.